SYRI TV/ Hetimi i SPAK u rrit fitimin ‘laboratorëve’ – Koncesionari shtoi fitimin me 1.5 milionë euro

Hetimi nga SPAK ka rezultuar ogur i mirë për kompaninë e koncesionit të Laboratorëve. Ndërsa Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimit, ky koncesion ka rritur fitimin edhe me 1. 5 milionë euro vetëm për 1 vit. Shkeljet në kontratën koncesionare u gjetën edhe nga KLSH, por vetëm për prokurorët e SPAK janë të pa hetueshme.

Syri TV

Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme po e mban prej më shumë se vitesh nën hetim kontratën e Shërbimit të Laboratorëve në Shëndetësi për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre, kompania koncesionare “Laboratory Netëork” rrit në mënyrë eksponenciale të ardhurat vit pas viti. Gjatë vitit 2024, shoqëria me seli në zonën off-shore të Amsterdamit, në Holandë, ka realizuar të ardhura në shumën 1.87 miliardë lekë të reja, ose rreth 1.5 milionë euro më shumë se një vit më parë, ku arkëtimet e “Laboratory Netëork” shënonin 1.72 miliardë lekë të reja.

Kompania koncesionare deklaron në bilancin e saj tregtar të vitit 2024, të dorëzuar së fundmi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit se rritja e të ardhura është falë investimeve në pajisje teknologjike. Megjithatë, opozita, por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, kanë ngritur dyshime serioze për kontratën me kosto koncesionare mbi 100 milionë euro. Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019.

Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë ose rreth 106 milionë euro dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandoi qeverisë shqiptare që të ndërpriste kontratën e koncesionit, pasi kompania “Laboratory Netëork”, një konsorcium i përbërë nga tre shoqëri dhe i kontrolluar me shumicë nga familja e biznesmenit shqiptar Janis Karathano, e kishte fituar tenderin në shkelje të procedurave. Në vijim, KLSH dorëzoi një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme. Në një reagim publik, SPAK-u pranoi se kishte regjistruar procedimin penal nr.18, datë 31 janar 2022, për veprat penale shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Por, kur kanë kaluar më shumë se tre vjet e gjysmë nga ky hetim, Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë sinjal mbi veprimet e saj. Prokuroria e Posaçme ka dështuar, deri më tani, të zbulojë shkeljet e dyshuara në disa prej kontratave koncesionare të miratuara nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, në sektorin e Shëndetësisë, por edhe në ato të menaxhimit të mbetjeve. Në një prej tyre, më tipiken, atë të inceneratorit inekzistent të Sharrës, kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani, pranoi më herët vështirësitë në hetim, duke i konsideruar si “krim intelektual”. Duket se edhe koncesioni 100 milionë euro i Laboratorëve përfshihet në listën e “krimeve intelektuale”, për të cilët Dumani dhe stafi i tij e kanë të pamundur që t’i japin zgjidhje, ndërkohë që milionat buxhetore dhe ato të qytetarëve shqiptarë rrjedhin lirshëm drejt llogarive të kompanive koncesionare.