Foto ilustruese
DANIMARKË- Një kopsht zoologjik në veri të Danimarkës po u kërkon pronarëve të kafshëve shtëpiake të dhurojnë “guinea pigs”, lepujt, pulat dhe madje edhe kuajt e vegjël – jo për t’i ekspozuar, por për t’ua dhënë si ushqim grabitqarëve të kopshtit zoologjik. Kopshti Zoologjik i Aalborgut shkroi në një postim në Facebook se po përpiqet të “imitojë zinxhirin ushqimor natyror të kafshëve”.
“Pulat, lepujt dhe guinea pigs përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së grabitqarëve tanë”, shkruhej në postim së bashku me një imazh të rrëqebullit me gojë të hapur dhe dhëmbë të mprehtë.
“Në këtë mënyrë, asgjë nuk shkon dëm — dhe ne sigurojmë sjelljen, ushqyerjen dhe mirëqenien natyrale të grabitqarëve tanë”, shtoi kopshti zoologjik.
Në faqen e saj të internetit, kopshti zoologjik tha se kafshët e dhuruara do të “eutanizohen butësisht” nga stafi i trajnuar përpara se të shërbehen si ushqim. Kopshti zoologjik është shtëpia e grabitqarëve mishngrënës si luani aziatik, rrëqebulli evropian dhe tigri sumatran.
Kërkesa publike e kopshtit zoologjik ka ngjallur debate të gjalla në internet, me disa që protestojnë kundër idesë së shndërrimit të kafshëve shtëpiake në pre, dhe të tjerë që lavdërojnë përpjekjet e kopshtit zoologjik për të ruajtur sjelljet natyrore të të ushqyerit. Zëvendësdrejtoresha e Kopshtit Zoologjik të Aalborgut, Pia Nielsen, tha në një deklaratë me email se iniciativa ka qenë në fuqi prej vitesh dhe është një praktikë e zakonshme në Danimarkë.
“Për shumë vite në Kopshtin Zoologjik të Aalborgut, ne i kemi ushqyer mishngrënësit tanë me bagëti të vogla për t’u dhënë kafshwve mishngrwnwse një dietë sa më natyrale të jetë e mundur. Prandaj, ka kuptim të lejohen kafshët që duhet të eutanizohen për arsye të ndryshme të jenë të dobishme në këtë mënyrë,”- tha Nielsen për CNN.
Nuk është hera e parë që kopshtet zoologjike të Danimarkës janë vënë nën shqyrtim për mënyrën se si i ushqejnë kafshët e tyre dhe si i kontrollojnë popullatat e tyre. Në vitin 2014, Kopshti Zoologjik i Kopenhagenit në kryeqytetin danez eutanazioi një gjirafë të re dhe të shëndetshme me emrin Marius për të shmangur kryqëzimin brenda familjes, pavarësisht një peticioni që përpiqej të ndalonte “vrasjen”.
Gjirafa u përdor pjesërisht për kërkime dhe pjesërisht për të ushqyer mishngrënësit në kopshtin zoologjik – luanë, tigra dhe leopardë./ZËRI
