Kryeministri i Francës, François Bayrou, i cili po përballet me kritika të ashpra për planin e tij të diskutueshëm të kursimeve prej 44 miliardë eurosh, ka zgjedhur një rrugë të pazakontë për të komunikuar me publikun: YouTube dhe podcast.
Tre javë pas prezantimit të planit masiv të shkurtimeve për buxhetin e vitit 2026, Bayrou ka njoftuar nisjen e një fushate komunikimi digjitale, që përfshin një seri podcast-esh dhe video në YouTube, për të shpjeguar drejtpërdrejt me qytetarët strukturën e buxhetit.
Episodi i parë i podcast-it do të transmetohet këtë të martë në orën 17:00, ndërsa videoja e parë në YouTube do të fokusohet në kornizën e përgjithshme të buxhetit. Ndjekësit do të kenë mundësinë të bëjnë edhe pyetje.
Deficiti publik i Francës arriti në 5.8% të PBB-së në vitin 2024, që përkthehet në 168.6 miliardë euro – shumë mbi kufirin e lejueshëm nga rregullat e BE-së. Në përpjekje për të zbutur këtë situatë, më 15 korrik, Bayrou prezantoi planin e tij për të kursyer gati 44 miliardë euro në buxhetin e vitit 2026, me qëllim uljen e deficitit në 5.4% këtë vit dhe në 4.6% në vitin 2026.
Masat më të debatuara përfshijnë heqjen e dy festave zyrtare dhe ngrirjen e pensioneve dhe përfitimeve sociale – që do të thotë se ato nuk do të indeksohen më sipas inflacionit, siç ka qenë praktika e zakonshme.
Qëllimi përfundimtar i Bayrou është ulja e deficitit nën pragun prej 3% të kërkuar nga BE deri në vitin 2029.
Megjithatë, masat e tij kanë shkaktuar zemërim të madh në opozitë, veçanërisht nga partia e ekstremit të djathtë, Rassemblement National, e cila ka paralajmëruar një mocion mosbesimi në vjeshtë, kur buxheti të diskutohet në Parlament.
Bayrou ka deklaruar se është i gatshëm të “negociojë” me forcat politike, por “pa u tërhequr” nga objektivat e reduktimit të deficitit.
Në kampin e tij, disa e kanë krahasuar tashmë me ish-kryeministrin Michel Barnier, qeveria e të cilit u rrëzua nga një mocion mosbesimi në dimrin e kaluar – një paralajmërim i heshtur për pasojat politike që mund të pasojnë.
