Nikoll Deda
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-Presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, dhe zv/Presidentja Aurela Guri. Nikoll Deda u denoncua në Prokurori nga Almiro Gurakuqi, presidenti aktual, i cili pretendon se Deda ka pasur abuzime me fondet e Urdhrit. Të dy, si Nikoll Deda ashtu dhe Aurela Guri, akuzohen për 3 vepra penale; ato të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, Nikoll Deda, në kohën kur ishte president në kundërshtim me ligjin, punësoi familjarët e tij. E gjitha për të manipuluar vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016. Nga ana tjetër, Guri ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq ish-presidentin dhe zv.presidenten e Urdhrit të Stomatologut për tre vepra penale
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit N.D. dhe A.G. për veprat penale ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’ të parashikuara nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.1218, viti 2025, rezultoi se ky shtetas i denoncuar nga shtetasi A.G. në Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar për shpërdorim të fondeve, ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit për përfitime personale.
Shtetasi në fjalë në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016. Pavarësisht se u mor i pandehur, ai ndërmori veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, shtetasi N.D. ka kryer veprime duke paguar dhe shpërdoruar fondet e Urdhërit të Stomatologut, pa justifikimet përkatëse si dhe në raste të caktuara ka tjetërsuar fonde në forma biletash apo pagesash fiktive në favor të familjarëve të tij apo të të tretëve, duke u bërë subjekt i veprave penale te “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal
Edhe shtetasja A.G., nga hetimet rezultoi se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi duke mos patur atributet ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024. Ajo ka vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore. Shtetasja A. G. u emërua si zv.Presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nr.1537, datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi. Kj shtetase ka autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë që fillon nga dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij ku shpenzimet nuk duhet të tejkalojnë 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës dhe ka autorizuar vazhdimin e buxhetit të përkohshëm duke u bërë subjekt i kryerjes së veprave penale të “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuara nga nenet 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Nikoll Deda u pezullua më datë 4 nëntor 2023 me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Prej vitesh ai ishte në kryer të Urdhrit të Stomatolgëve me një “rekord të zi” sa i përket shpenzimeve financiare apo nepotizmit në USSH. Sipas hetimeve, Deda dyshohet se ka rritur në mënyrë të pajustifikuar buxhetin e Urdhrit të Stomatologut nga viti në vit. Në vitin 2020 buxheti ishte 38.5 milionë lekë, ndërsa në vitin 2021 ai u shtua me 13.5 milionë lekë. Në vitin 2022, buxheti arriti në 125.8 milionë lekë, për shkak edhe të blerjes së një godine të re për institucionin dhe investimeve të kryera në të. Prokuroria dyshon se këto shtesa janë kryer për përfitime personale dhe jo në funksion të interesit publik./ZËRI
