Burg për Flodian Plakun: S’kam lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjas, Policia erdhi tek unë se kam përdorur një “Golf”

Flodian Plaku

TIRANË-Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun, i cili akuzohet për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mars 2024. Plaku i njohur edhe me mbiemrat Mamo e Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”, ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Ai ka deklaruar para togëzave të zeza se Policia i ka shkuar para 10 ditësh, pasi përdorte një automjet tip ‘Golf’.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen, kam përdorur një “Golf” para 10 ditësh prandaj policia erdhi tek unë”, ka thënë ai.
‘Golfi7’, mjeti që çoi në gjurmët e ‘Pole Qorrit’
Identifikimi i Florian Plakut është kryer përmes një analize ADN-je, pasi gjurmët e tij të gishtave janë gjetur në një makinë Golf 7 që dyshohet se u përdor për largimin e autorëve të vrasjes. Gjurma biologjike e marrë në makinë është krahasuar në bankën e të dhënave të ADN-së që ndodhet në policinë kriminale në Policinë e Shtetit, e cila rezultoi se i përkiste gjurmëve të personit të arrestuar në 2019 për trafik droge, Florian Plaku.
Flodian Plaku u arrestuar dy ditë më parë (3 Gusht), në ambientet e Hotel “Doko” në Radhimë të Vlorës, ku ai po qëndronte me mikun e tij, Julian Aliaj, i cili po ashtu është arrestuar. Në momentin e kapjes “Pole Qorrit” i janë gjetur 2 armë zjarri, 17 fishekë, 7 celularë dhe 25 mijë euro cash.
Si u realizua vrasja e Gentjan Bejtjas?
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit të vitit 2024 brenda oborrit të banesës së Larushk. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Në të shkuarën ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve./ZËRI