Nga Basir Çollaku
Aleks Soros, si pas një muaji mjalti, i sapomartuar, vjen në Shqipëri, sillet si qeveritar, drek-darkon me Ramën dhe zonjën e tij. Merr shërbime qeveritare. Duket se është padroni i padronit tonë të të gjithë pushteteve, ani pse të zaptuara me çdo lloj dhune kriminale. Në SHBA, ai dhe skota e tij dasmore janë në hetime të thelluara. Ai dhe Kryeministri dinë shumë nga sekretet e njëri-tjetrit. Me një vëlla në burg, siç i thoshte Veliajt kur përqafoheshin në takime, Soros ka bërë dëme të mëdha në Shqipëri. Opozita, mes mëkateve të saj, ka qenë kurrizkthyer ndaj këtij telashi. Ka aty edhe të dajdisur ndër vite nga Fondacioni dhe heshtja në kësi rastesh është flori për ata, e teneqe për qytetarët.
Ideuesi dhe shkatërruesi i drejtësisë është ai. Sigurisht, për të fuqizuar në ekstrem vëllanë, Ramën. Për të asgjësuar çdo institucion ligjor. Ata prodhuan një deformë turpi. Një Prokurori Speciale të përdorur prej tyre, kundër opozitës, kundër gjithkujt që sillte probleme për padronët. USAID kishte sjellë 270 milionë dollarë për çetën. BE kusurin dhe kështu, 1 miliard dollarë u shkërmoqën dhe ndoshta përfunduan pallate diku, nën etiketën qorre të drejtësisë. PD, së paku si detyrim, duhet të çojë në Kuvend, në shtator, kërkesën për të hetuar me Komision Parlamentar axhendën e këtij individi, dëmet në ekonomi, drejtësi, politikë dhe shpalljen e tij non grata. Do të ishte në nderin e panegociueshëm të saj. Kapitulli Charles McGonigal është pjesë e kësaj katrahure. Ballkani, çel-mbyllur gjithashtu. Pasuritë e naftës e të tjera, po ashtu.
Çlirimi i menjëhershëm i drejtësisë nga ushtarët e tij është emergjencë kombëtare. Saktësisht, një sistem të ribërë. Por ai, çeta e Soros, po bën Kodin e ri Penal. Janë ata. Askush tjetër. Një duzinë me eunukë, me duar tek oreksi i shefit. Miliardat e pastruara nëpër offshore. A shkoi ndonjëherë përpjekja e hetimit nëpër këto streha financiare?! Ne presim të hiqen qafe këta me zgjedhje. Jo. Ata kanë zhdukur procesin. Kanë ndërtuar autokracinë. Rama nuk do t’ia dijë për ndërkombëtarët. Aspak. Nuk inkuadron në fshehje. Së paku, për sa kohë ata shkruajnë kotazi leksione dhe nuk ndërmarrin ndaj tij sanksione. As për median, të cilës u gjen dermanin me pinë të kënaqshme.
Nëse presim opozitën ndaj Ramës ta bëjë Natyra dhe Ndërkombëtarët, jeni jashtë binarësh. Tymi është mjeti demokratik, por jo i bardhë. Nëse Soros vjen e dalldis dhe e sheh si muaj mjalti kohën në Shqipëri, çdo ardhje e tij është gjithnjë e më tepër një muaj dhe kohë muti për shqiptarët.
