Shqiptari mban peng ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët në Itali, ‘alarmi’ nga Shqipëria i shpëtoi

Foto ilustruese

ITALI- Një grua dhe dy fëmijët e saj po mbaheshin peng në Umbria. Tre personat po mbaheshin peng që nga e mërkura e kaluar (30 korrik) dhe u liruan vetëm të premten, më 1 gusht. Shqiptarja 42-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 7 dhe 11 vjeç, ishin rrëmbyer nga ish-bashkëshorti i saj dhe babai i fëmijëve, një burrë 53-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë me dije.
Nga ato që bënë me dije mediat italiane, burri i kishte futur ata kontrabandë në Itali, dhe më pas ua kishte marrë pasaportat dhe ua kishte vjedhur telefonin celular. Kur ata tentonin të largoheshin nga banesa, ai përdorte forcë fizike për t’i penguar të kërkonin ndihmë. Alarmi u dha nga autoritetet shqiptare, të cilat morën një kallëzim për rrëmbim të trefishtë, ndaj kështu nisën hetimet. 
Vetëm një orë më pas, forcat e rendit arritën të ndalonin një automjet që drejtohej nga 53-vjeçari, brenda të cilit ndodheshin ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët, në një gjendje të dukshme të shqetësuar. Me të parë patrullën, të tre kërkuan menjëherë ndihmë. 
Tre viktimat ishin të tmerruara dhe jashtëzakonisht të shqetësuara dhe u liruan menjëherë, ndërsa gruaja shpjegoi se çfarë kishte ndodhur gjatë tre ditëve të fundit: mbërritjen e tyre nga Shqipëria, kërcënimet dhe dhunën fizike të përdorur nga ish-burri i saj. Nëna dhe fëmijët u vendosën më pas në një qendër sociale, ndërsa 53-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe u transferua në burgun e Capanne në Perugia./ZËRI