Kleanth Bylyku dhe Reanto Hoxhaj
TIRANË-Është arrestuar një prej autorëve të vrasjes së Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur në Vlorë më 27 prill. Policia njofton se autori i dyshuar, Kleanth Bylyku alias Armando Gega është pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
42-vjeçari me dy emra akuzohet si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Bylyku po qarkullonte me këtë mjet të bardh tip Audi në momentin që Forcat Operacionale ndërhyjnë për ta vënë në pranga. Policia ka identifikuar edhe ekzekutorin, një shtetas rumun që është larguar nga Shqipëria duke kaluar përmes pikës kufitare në Qafë Botë.
Ndër personat e shpallur në kërkim është edhe Alesio Dobrozi, i cili sipas informacioneve të fundit ndodhet në Dubai. Dobrozi është i njohur për autoritetet shqiptare dhe ka qenë më parë i përfshirë në incidente kriminale. Në vitin 2021, ai bashkë me Ramazan Rrajën dhe Roan Brahimin, i vrarë kohë më parë në Athinë kishin hyrë të armatosur në një lokal në Lezhë.
Në pranga në lidhje me ngjarjen është vendosur më herët edhe Eris Mehmetaj i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Mehmetaj akuzohet se i ka dhënë automjetin e tij autorit të krimit dhe ai e ka pohuar një gjë të tillë, duke u shprehur se i ka lënë makinën një miku, pa e ditur se për çfarë do të përdorej më pas.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Në gjurmë”, vihet në pranga një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së një 58-vjeçari, në prill 2025, në qytetin e Vlorës.
I arrestuari, pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.
Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.
Vijojnë veprimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip “Range Rover” që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë. Vrasja dyshohet të jetë porositur nga Dubai, ndërsa për të vënë në jetë planin e ekzekutimit të Hoxhajt më 27 prill, autorët kanë përdorur 3 automjete./ZËRI
