Një prej jahtëve më të jashtëzakonshëm ndonjëherë, i quajtur Breakthrough, do të dalë për herë të parë në shitje në ekspozitën Monaco Yacht Show këtë shtator. Me një gjatësi prej 119 metrash dhe një çmim marramendës prej 645 milionë dollarësh, superjahti është ndërtuar nga kompania holandeze Feadship, dhe konsiderohet si mjeti lundrues më miqësor me mjedisin në botë.
I pajisur me teknologji të avancuar, Breakthrough funksionon me hidrogjen të lëngshëm dhe qeliza karburanti të gjeneratës së re, duke e bërë atë jahtin e parë “net zero” – që nuk ndot aspak atmosferën. Hidrogjeni ruhet në bord në temperatura -253°C dhe energjia e prodhuar ngroh pishinat, dhomat me avull dhe edhe peshqirët e dhomave të miqve.
Jahti ofron akomodim për 30 të ftuar në 15 kabina, të shërbyer nga 43 anëtarë ekuipazhi. Zona e pronarit përfshin një rezidencë private me katër kate, me dy dhoma gjumi, dy banja, palestër, dy zyra me oxhak, një bibliotekë dhe një ashensor personal. Në bord gjenden gjithashtu kinema, disa vaske me hidromasazh, një pishinë “infinity”, një fushë basketbolli dhe madje edhe një spital privat.
Brendësia është e punuar me materiale luksoze si lëkurë, mermer dhe dru lisi të zbardhur, duke krijuar një atmosferë elegante bregdetare. Ballkonet e fshehura dalin me shtypjen e një butoni, ndërsa jahti ka pesë kuverta mbi ujë dhe dy nën të, duke ofruar hapësira të mëdha për relaks dhe argëtim.
Edhe pse është përfolur si jahti i Bill Gates, i cili dyshohet se e porositi në vitin 2021, raportohet se themeluesi i Microsoft nuk ka hipur kurrë në bord. Projekti, i njohur si “821” gjatë ndërtimit, ka qenë shpesh në qendër të medias. Sipas raportimeve më të fundit, jahti pritet të blihet nga miliarderi kanadez Patrick Dovigi, CEO i kompanisë “Green For Life Environmental”.
