Artur Hoxhosmani dhe Ramazan Rraja
TIRANË- Detaje të reja zbulohen nga dosja e grupit të goditur nga SPAK që kontrabandonte drogë nga vendet e Amerikës Latine për në Bashkimin Europian. Ajo që bie në sy nga bisedat që ka zbardhur Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është fakti se në grup dhe në trafik është i përfshirë edhe Ramazan Rraja. Ky i fundit, në aplikacionin “SkyECC” ka kodin JU6RE9 dhe gjithë kohës ka komunikime me Artur Hoxhosmanin, i cili mban kodin VRHDIV. Të dy bashkë më datë 29.10.2020, konfirmojnë se sasia e lëndës narkotike e cila është sekuestruar nga policia në Rotterdam të Mbretërisë së Holandës është porositur dhe financuar prej tyre. Të hetuarit shprehin mërzinë për kapjen e lëndës narkotike dhe dyshimin se personi i paidentifikuar me pseudonimin “Big X” ka spiunuar për kapjen e lëndës. Por se kush është ky person, nuk e zbulojnë për asnjë moment. Në gjithë bisedën, Rraja shfaqet shumë i revoltuar.
JU6RE9: Paska ra puna vlla, e jona në Rotterdam. Mere pak atë në BE vlla. Fol pak me të si ka mundësi vlla? Pyet njëherë atje si ka qenë puna? Ca mendo vlla? Ja sa të shkoj ke shpia se kam videon. Kemi si marrim noj info. Do ia ** ******. Maje mend ca do i boj. Po s’ja kam spiunu dhe unë punën **** se e ka rrugës. Mka ik truni aty i kisha krejt shpresat. Tallesh ti. I ka thon srz. Tani. Ok se merrem un
Në këtë rast, droga gjithsej 1435 pako me peshë neto 1484,07 kg është kapur në Rotterdam-Holandë. Kokaina ishte fshehur në ngarkesë me thasë kokrra kakaoje dhe kishte “pronarë”: Artur dhe Klevis Hoxhosmanin; Ramazan Rrajën dhe një person të paidentifikuar, përdorues i pin “6FJMOR”.
Por çfarë thoshte “BigX” për drogën e kapur?
BigX66N: Po vlla po ty tkan thon dje do te thot qe ato e kan dit qe dje. Vllai mos u fikso kot mu mtha i shok qe i njef por hypjen direkt e njifni ju. Mos u kap kot. Mase kan dash lajmin me ju dhon vlla. Dhe me ta thon dje prap lajmin do kerkoje. Se di vlla jo por ai qe mtha mu rrin me ato nazmi ato ca jan anej.
Më pas, Ramazan Rraja flet me “CU6FFO”, i identifikuar në përdorim të shtetasit Gëzim Bakalli (alias Shkëmbim Cërmanji), i afërmi i Rrajës, të cilit i konfirmon se lënda narkotike ishte kapur. Një tjetër detaj nga dosja është edhe mënyra e pagesës për këto sasi lëndësh narkotike që vinin drejt BE-së. Brenda ka foto të kartëmonedhës të dollarit amerikan me shënimet e vlerave të kaluar me transferta duke përdorur sistemin e njohur “Hawala”.
Haëala, është një term me origjinë arabe, që nënkupton transferim ose besim. Ajo nënkupton një metodë joformale të transferimit të parave pa i lëvizur ato fizikisht nga një shtet në tjetrin. Është një metodë që ka në bazë persona të ndryshëm që funksionojnë si huadhënës, dhe është një taktikë e përdorur gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe që së mundmi është “përqafuar” edhe nga grupet e drogës. Tek ato shqiptare, SPAK ka gjetur disa raste përdorimi.
