A do të preken verërat dhe pijet alkoolike?/ BE-ja ende në negociata me SHBA-në, pak orë para hyrjes në fuqi të tarifave të reja

Me më pak se një ditë të mbetur para se regjimi i ri tarifor BE-SHBA të hyjë në fuqi, Komisioni Evropian mbetet ende në pasiguri lidhur me fatin e verës dhe pijeve alkoolike evropiane. Marrëveshja e re, e konsideruar si “asimetrike” nga Brukseli, u njoftua të dielën pas bisedimeve mes Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen dhe Presidentit amerikan Donald Trump, por ende mungon një deklaratë e përbashkët që të sqarojë detajet.

Tarifa të reja deri në 15% për mallrat industriale të BE-së pritet të nisin të premten, ndërkohë që zyrtarët evropianë nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse sektori i verës dhe pijeve do të përjashtohet. Një zëdhënës i Komisionit tha të enjten se nuk pritet që këto produkte të përfshihen në grupin e parë të përjashtimeve që do të shpallen nga SHBA-të. “Ne jemi ende duke negociuar”, shtoi ai.

Industria e verës, që mbështet mbi 550 mijë vende pune vetëm në Francë, shihet si strategjike për shumë vende anëtare, veçanërisht Francën, Italinë, Spanjën dhe Irlandën, të cilat po lobojnë fuqishëm për përjashtimin e këtyre produkteve nga tarifat. Ministri francez i Ekonomisë, Éric Lombard, theksoi se negociatat me amerikanët janë ende në zhvillim dhe se mbrojtja e verës dhe pijeve alkoolike mbetet një prioritet.

Sidoqoftë, pozicioni negociues i BE-së është dobësuar ndjeshëm. Marrëveshja e fundit e arritur në Skoci, e cila eliminon mundësinë e tarifave hakmarrëse mbi produktet ikonike amerikane si burboni, e ka lënë Brukselin me më pak leva presioni. Kjo rrit rrezikun që sektori i verës të preket rëndë, në një kohë kur edhe tarifat kineze po ndikojnë ndjeshëm në eksportet evropiane.

Ndërsa pritet zbatimi i mundshëm i tarifave përmes një urdhri ekzekutiv nga Shtëpia e Bardhë brenda natës, industria dhe autoritetet evropiane qëndrojnë në pritje, me shpresën për një kompromis të minutës së fundit.