Hakeruan e-mailet e SPAK, Gjykata e Lartë lë në fuqi masën “arrest me burg” për Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni

Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni

TIRANË- Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e Arnold Rrokajt dhe Zambak Gjonit, dy të akuzuarit për hakerimin e e-maileve të prokurorëve të SPAK. Të akuzuarit kërkuan heqjen e masës arrest me burg shpallur ndaj tyre në prill të këtij viti, ndërsa kolegji penal i përbërë nga Ilir Panda, Sander Simoni e Sokol Binaj vendosën rrëzimin e kërkesës së tyre. 
Të dy janë arrestuar sapo SPAK ka mësuar për ndërhyrjen në emailet e disa prokurorëve. Sipas SPAK, Gjoni dhe Rrokaj kanë tentuar që të hakerojnë edhe emailin e kreut të institucionit, Altin Dumanit, por nuk ia kanë dalë. Po ashtu, SPAK-u njoftoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar dhe dosjet hetimore nuk janë prekur. Por janë marrë disa informacione që më pas i janë shpërndarë palëve të treta.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara bëri me dije më herët se ndërhyrja ka ndodhur më 12 mars. Sipas SPAK, dosjet kanë mbetur të pacënuar. Përveç hetimit penal për Gjonin dhe Rrokajn, SPAK ka nisur një hetim të brendshëm administrativ për të verifikuar sigurinë e sistemit të IT-së të institucionit./ZËRI