‘Zjarret na zënë në befasi’/ Muçollari: Institucionet gjithnjë e më pak të përgatitura, qeveria bën propagandë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria po përballon emergjencat civile, sidomos në kushtet e verës kur rreziku i zjarreve rritet ndjeshëm. I ftuar në studion e edicionit të orës 19:00 në SYRI TV, Muçollari u shpreh se Shqipëria, vit pas viti, përballet e papërgatitur me situata emergjente.

Ai theksoi se në rast të një emergjence të paparashikuar, mund të mirëkuptohej mungesa e gatishmërisë, por duke qenë se rastet e tilla përsëriten çdo vit, tashmë duhet të ishte krijuar një fond i konsiderueshëm për emergjencat civile. “Kanë ardhur kushtet që të parashikojmë çdo lloj situate dhe të kemi një fond shumë të madh për emergjencat civile,” u shpreh Muçollari.

Duke analizuar situatën e përsëritur në 5-vjeçarin e fundit, ai nënvizoi se çdo verë vendi përballet me zjarre dhe probleme të theksuara me reagimin e strukturave përkatëse. “Këtë vit edhe më shumë. Vëmendja e institucioneve në vend që të shtohet, po zbehet. I kushtohet gjithnjë e më pak rëndësi emergjencave, prandaj duhet një përqasje shtetformuese,” tha ai.

Sipas tij, qeveria fokusohet më shumë tek imazhi dhe PR, sesa te puna reale dhe përgatitja institucionale. Ai e quajti të qartë vullnetin e kësaj qeverie për të mos i dhënë përparësi përmbajtjes dhe përballjes konkrete me situatat kritike.

“Siç mund ta shikoni, kujdesen të nxjerrin foto të zjarrfikësve që në fakt janë të papërgatitur, pa mjetet e nevojshme dhe të keqpaguar. Ato imazhe nuk përfaqësojnë realitetin në terren,” deklaroi Muçollari, duke shtuar se përqasja aktuale është përqendruar te reklama dhe jo te puna.

Më tej, Muçollari paralajmëroi se me këtë ritëm të menaxhimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë, Shqipëria rrezikon të përballet sërish e papërgatitur me emergjencat edhe vitin e ardhshëm.

Muçollari :

Shqipëria është përballur vit pas viti e papërgatitur sa i përket emergjencave civile, dhe nëse do të ishte një situatë emergjente, le të themi shumë e papritur, mbase do ta mirëkuptoja pavarësisht se mbase kanë ardhur kushtet që të parashikojmë çdo lloj situate dhe të kemi një fond shumë të madh për emergjencat civile.

Rasti i përsëritur të paktën në 5-vjeçarin e fundit, vit për vit në periudhën e verës për shkak të nxehtësisë ka pasur vazhdimisht zjarre dhe probleme me emergjencën civile, këtë vit edhe më shumë, kështu që vëmendja në vend që të shtohet e institucioneve përkatëse, i kushtohet edhe më pak rëndësi, kështu që këtu do një përqasje të qartë shtetformuese, një përqasje ku nuk është imazhi dhe nuk është PR kryefjalë e qeverisë por është puna e bërë dhe e përgatitura pikërisht për raste të tilla të cilat ndodhin vit pas viti, tashmë e dimë që do ndodhë edhe vitin tjetër.

Kështu që, vullneti i kësaj qeverie, e ka treguar prej kohësh që nuk i kushton rëndësi punës së kryer, nuk i kushton rëndësi përmbajtjes, thelbit por i kushton rëndësi PR.
Siç mund ta shikoni, kujdesen të nxjerrin vazhdimisht foto të zjarrfikësve të cilët për hir të së vërtetës ata që vërtet po luftojnë me zjarrin të papërgatitur, pa mjetet e nevojshme, patjetër të keqpaguar, shohim se fotot që nxjerrin për të bërë PR nuk kanë të bëjnë fare me njerëzit të cilët punojnë aty.

Përqasja e kësaj qeverie është e qartë, i kushton së vjen e më shumë fonde PR, gjithmonë e më shumë para që reklamojnë një punë të pakryer sesa punës së kryer apo parave të cilat duhet të destinoheshin për emergjencat civile, mos na gjente edhe këtë vit të papërgatitur siç ka ndodhur çdo vit.