Edhe pse orizi mund të duket i pastër në shikim të parë, ai shpesh përmban mbetje arseniku dhe pesticide të përdorura gjatë kultivimit dhe përpunimit të tij.
Larja e ushqimeve para konsumimit është një praktikë themelore për mbrojtjen e shëndetit. Sipas udhëzimeve të ministrive të Shëndetësisë dhe organizatave të sigurimeve shëndetësore në disa vende, frutat dhe perimet duhet të lahen me kujdes me ujë të pijshëm për të larguar papastërtitë, pluhurin, bakteret dhe mbi të gjitha, mbetjet e pesticideve.
Kjo veprimtari e thjeshtë ndihmon në parandalimin e sëmundjeve gastrointestinale dhe zvogëlon ekspozimin ndaj substancave toksike. Por ky zakon nuk duhet të kufizohet vetëm te ushqimet e freskëta – ai duhet të zbatohet edhe për produkte të përdorimit të përditshëm si orizi i bardhë, një ushqim bazë në dietën tonë.
Orizi i bardhë është përbërës i shumë vakteve tradicionale, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Megjithatë, ndonëse duket i pastër, ai mund të përmbajë mbetje arseniku inorganik dhe pesticide. Prandaj, të dish se sa herë duhet ta lash orizin përpara gatimit nuk ndikon vetëm në shijen dhe strukturën e tij, por është gjithashtu një masë e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të familjes.
Sa herë duhet të lahet orizi?
Ekspertët rekomandojnë që orizi të lahet 4 deri në 6 herë, ose derisa uji të bëhet pothuajse i tejdukshëm. Kjo ndihmon në largimin e niseshtes sipërfaqësore (që e bën orizin ngjitës), si dhe të papastërtive, pluhurit, pesticideve dhe një pjese të arsenikut.
Një teknikë edhe më efektive është të lini orizin të zbutet në ujë për të paktën 30 minuta dhe më pas të hidhni ujin para gatimit. Kjo ndihmon në reduktimin e mëtejshëm të përmbajtjes së substancave të dëmshme.
Gjithashtu, mund të përdorni metodën e gatimit me shumë ujë: ziejeni orizin me raport 6 pjesë ujë me 1 pjesë oriz dhe më pas kullojeni, njësoj si me makaronat. Kjo mënyrë mund të ulë përmbajtjen e arsenikut deri në 40% – 60%.
