Jonaid Myzyri
TIRANË- Kreu i pezulluar i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri është paraqitur edhe sot në Prokurorinë e Posaçme. Nga ajo që raportohet, bëhet me dije se edhe sot, Myzyri është marrë në pyetje nga hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për rreth 2 orë, ai është rimarrë në pyetje nga prokurori Elvin Gogaj, ku ka dhënë sërish shpjegime në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas hetimeve, ka dalë në përfundimin se titullari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri dhe vartësit e tij se kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, duke shpallur fitues të tenderit për mirëmbajtjen e rrugës Rreshën-Ura e Repsit bashkimin e operatorëve ekonomikë që kishin paraqitur ofertën më të lartë.
Sipas SPAK, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të orientonte autoritetin kontraktor për anulimin e procedurës, me qëllim rihapjen e saj, duke iu dhënë mundësinë operatorëve ekonomikë që të plotësonin kriteret e vendosura prej tij të konkurrojnë.
Jonaid Myzyri është marrë i pandehur bashkë me 11 persona që dyshohen se shkelën barazinë në tendera. Autoritetet kanë ndarë veçmas një grabitje të ndodhur në shtëpinë e punonjëses së Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja. Përgjimi i punonjëses së KPK, Lindita Skeja e cila implikon titullarin në procedurat abuzive të tenderit tregon se punonjësja i ankohet bashkëbiseduesit në telefon se kishte firmosur për Myzyrin dhe tani po “vuante pasojat”./ZËRI
