“Nuk jemi as grekë, as bullgarë e as serbë”/ Kryeministri maqedonas vizitë në Pustec: Vij këtu si vëlla, ju përkulem!

Hristjan Mickoski

PUSTEC- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski ka zhvilluar një vizitë në Pustec, duke i falenderuar të gjithë banorët për besnikërinë dhe atdhedashurinë e treguar për vendin e tyre, pavarësisht se jetojnë në një territor tjetër. Teksa mori pjesë në festivalin folklorik të grupeve maqedonase të rajonit, Mickovski deklaroi se janë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e maqedonasve.
Mickovski tha se banorët e Pustecit nuk janë as grekë, as serbë dhe as bullgarë, por maqedonas të Shqipërisë. Po ashtu, Mickoski u ndal gjithashtu tek raporti me shtetin shqiptar, duke nënvizuar se komuniteti maqedonas nuk duhet të mohojë asnjëherë rrënjët e veta.

Pamje nga vizita e Hristjan Mickoskit

“Sot, kur qëndroj përpara jush, nuk flas vetëm si Kryeministër i Qeverisë, por flas si një njeri që beson se një komb përbëhet pikërisht nga kjo, lidhja mes njerëzve që e ndjej si timen, pa dallim se ku jetojmë. Edhe kur jemi afër, edhe kur jemi larg, qoftë në atdhe apo jashtë tij, ndjenja, identiteti, përkatësia, të gjitha bëhen një. Vendi juaj në këtë histori është i veçantë, jo vetëm sepse gjeografikisht jemi në shtete të ndryshme, por sepse ju jeni thellësisht në zemrën e atdheut tonë. Ju jeni sinonim i qëndrueshmërisë, i besnikërisë së heshtur, i dinjitetit dhe i përulësisë së njëkohshme. Edhe kur askush nuk ju pyeti, edhe kur askush nuk ju përmendi, ju mbetët ata që jeni. Dhe mbetët besnikë ndaj shtetit në të cilin jetoni. Këtu, gjuha maqedonase nuk ruhet si zakon, por trashëgohet me dashuri. Këtu, kënga, zakonet, kujtimet janë pjesë e jetës suaj të përditshme. Pikërisht për këtë ndjehet një respekt i thellë kur dikush vjen këtu, jo nga formaliteti, por nga bindja e sinqertë. Më vjen keq që propaganda që ka ndjekur maqedonasit ndër histori nuk ju ka kursyer as ju. Ju jetoni këtu, i nderoni këto troje, i jetoni këto troje. Përmes zëvendësimesh, përmes presionesh, përmes ndalesash, kanë tentuar të tronditin atë që është e juaja, por ju mbetët të palëkundur,”-tha ai.

Pamje nga vizita e Hristjan Mickoskit

I pritur me parrullën “Mirë se erdhe heroi ynë”, Mickoski falënderoi banorët e Pustecit për qëndresën e tyre përmes pengesave dhe trysnive.
“Mos i lejoni askujt t’jua përcaktojë identitetin në vendin tuaj. Dhe prandaj, vëllezër dhe motra të dashur, Maqedonia ju përkulet. Thuhet se një shtet e tregon pjekurinë e vet përmes mënyrës se si sillet me ata që nuk janë në qendër. Ne sot duam të tregojmë se po mësojmë shtetndërtimin. Pra, duam të vendosim një marrëdhënie të re me ju. Ka të ardhme për çdo fëmijë që mëson në gjuhën amtare. Për çdo familje që dëshiron të qëndrojë këtu. Për çdo të ri që beson se ia vlen të qëndrosh vetja në vendin tënd. Secili që jeton këtu ta dijë se nuk është vetëm. Dua që fshati Pustec të rritet me ndjenjën e përkatësisë, që nuk bazohet në frikë, por në vetëbesim. Dua që çdo prind këtu ta dijë se ka vlerë t’i mësojë fëmijës së vet gjuhën amtare. Dua të krijojmë kushte që këtu të jetohet më mirë, jo me fjalë boshe, por me rezultate të dukshme. Kjo nuk është takimi i fundit. Kjo është një fillim i ri dhe i pari nga shumë të tillë. Sepse puna jonë tani sapo ka filluar,”-shtoi ai.
Pusteci njihet ligjërisht si zona ku banon minoriteti maqedonas, pasi edhe mësimi në sistemin arsimin fillor zhvillohet në dy gjuhë; shqip dhe maqedonisht. Por vitet e fundit, disa banorë të zonës së Prespës së Madhe janë regjistruar si bullgarë për t’u pajisur me pasaportën e një vendi që është pjesë e Bashkimit Europian./ZËRI

hrisjjpg

900 0 1753636815xwhatsapp image 2025 07 27 at 190059 539