Shqetësimet për sigurinë, anulojnë paradën vjetore të Ditës së Marinës në Shën Petërburg

Qeveria ruse ka anuluar paradën vjetore të Ditës së Marinës në Shën Petërburg, e planifikuar për sot, duke përmendur shqetësime për sigurinë.
“Kjo është e lidhur me situatën e përgjithshme, për arsye sigurie, të cilat kanë përparësi mbi gjithçka”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencitë ruse të lajmeve.

Presidenti Vladimir Putin e kishte prezantuar paradën detare në vitin 2017.
Në rajonin përreth Shën Petërburgut, më shumë se 10 dronë janë rrëzuar në mëngjes, sipas informacioneve zyrtare.
Guvernatori Alexander Drozdenko tha se një grua në Lomonosov ishte plagosur nga mbeturina e një droni të rrëzuar.
Aeroporti ”Pulkovo” i Shën Petërburgut u mbyll për disa orë në mëngjes për ngritje dhe ulje. Ushtria ruse raportoi rrëzimin e 99 dronëve në shkallë kombëtare.
Sulmet me dronë nga Ukraina ndaj territorit rus janë shtuar muajt e fundit.
Këto janë një përgjigje ndaj bombardimeve të vazhdueshme të qyteteve dhe fshatrave ukrainase nga ushtria ruse, si pjesë e luftës së nisur nga Putini në vitin 2022 kundër Ukrainës.
Pavarësisht sulmeve në rritje në territorin e tij, Kremlini këmbëngul se Moska është në rrugën e duhur për të arritur të gjitha objektivat e saj ushtarake. ATSH