Dhunimi i kamerierit 18-vjeçar në Vlorë, Rama: Polici i Dibrës të përjashtohet pa kthim!

Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar idhur me dhunimin e një kamarieri në Vlorë nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Në postimin e bërë në rrjetin “X”, kryeministri Rama shkruan se polici do të përjashtohet nga detya dhe do të përballet me drejtësinë.
“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali. Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit. *Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh,”- shkruan Rama në postimin e tij në “X”.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të klientëve, si shkak i një shishe uji. Kamarieri 18-vjeçar, kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Efektivi Ardian Isufi dhe Leart Bimo, fillimisht kanë dhunuar 18-vjeçarin, por konflikti ka marrë përmasa më të mëdha kur në mbrojtje të kamerierit ka ndërhyrë pronari i lokalit, shtetasi Vasil Bedinaj, 53 vjeç, një emër i njohur në Vlorë si pronar i “Regina Group”./ZËRI