Dështon sërish konstituimi, Dehari fton seancën e radhës për nesër

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ftoi seancën e radhës, të 53-tën, për nesër, të shtunën, në orën 14:00.

Thirrja për seancën e radhës u bë pasi, me vetëm 54 vota pro formimit të komisionit për votim të fshehtë, sërish dështoi konstituimi i Kuvendit.

Seanca e radhës do të mbahet vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Thirrje ndaj Deharit “të mos keqpëdorë pozitën”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, si dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i kanë kërkuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari që të mos e keqpërdorë pozitën dhe t’i kthehet rendit të ditës, që nënkupton votim të hapur për propozimin e Haxhiut për kryeparlamentare.

Dehari, në anën tjetër, ka vazhduar të kërkojë prej tyre që të propozojnë nga një kandidat për komision për votim të fshehtë.

Rexhepi s’pret dakordim nga LVV-ja dhe Nisma për konstituim të Kuvendit

Kyetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi – si njëra nga përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës – tha se nuk pret që të ketë marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për konstituim të Kuvendit sot.

“Sa unë e di, ata flasin vetëm për koalicion për qeveri”, tha Rexhepi.

Rexhepi, si zëvendëskryeministre në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, ka përkrahur iniciativat e derimëtanishme të LVV-së në Kuvendin e Kosovës.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se ekzistojnë rrethana të intersit publik, që e përfshijnë rendin kushtetues të Kosovës, që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

Vendimi për vendosjen ex officio të masës së përkohshme, Kushtetuesja tha se e mori pas pranimit të dy lëndëve në fillim të korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto dy lëndë janë bashkuar, tha Kushtetuesja, duke shtuar se Gjykata po ashtu ka pranuar komente nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto lëndë./ REL/