Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se ekipi që po merr pjesë në negociatat për armëpushimin në Rripin e Gazës do të rikthehet në Izrael për konsultime, një ditë pasi Hamasi dorëzoi propozimin e tij ndërmjetësuesve.
Një burim i afërt me organizatën palestineze tha sot për agjencinë Reuters se ende ekziston shpresë për të arritur një marrëveshje armëpushimi në enklavë, por do të duhen disa ditë për shkak të asaj që e quajti ‘vonesë’ nga ana e Izraelit.
Sipas këtij burimi, përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit të fundit për armëpushim përfshin një kusht që synon të parandalojë Izraelin nga rifillimi i luftës nëse nuk arrihet marrëveshje brenda një afati 60-ditor.
Ai theksoi se negociatat duhet të vazhdojnë edhe pas përfundimit të këtij afati 60-ditor, pa rifillim të luftimeve, edhe nëse marrëveshja nuk është arritur deri atëherë.
Gjithashtu, Hamasi kundërshton rolin e Fondacionit Humanitar për Gazën (GHF) dhe kërkon rikthimin e mekanizmit të mëparshëm për shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Në këtë kuadër, propozohet zbatimi i protokollit të 19 janar, për të mundësuar hyrjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.
Sipas të njëjtit burim, propozimi i ndërmjetësuesve nuk përmend pikën kufitare të Rafahut, në kufi me Egjiptin, për të cilën Hamasi kërkon të hapet në të dy drejtimet.
Nuk ka pasur negociata për shkëmbim të të burgosurve, ndonëse kjo mbetet një prioritet për Hamasin, shtoi burimi.
