Foto ilustruese
TIRANË- Qeveria rikthen papritur sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, por në një version të ndryshuar të projektligjit të mëparshëm, të diskutuar dhe konsultuar disa vite më parë, që u hartua në konsultim me Bankën Botërore. Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të ofrohet nga vetë shteti. Përmes projektligjit të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave i hartuar në Bashkëpunim me Bankën Botërore në nenin 14 thuhet se do të ngrihet ‘Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet’.
Ky fond krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku Autoriteti Publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Fondit, është ministria përgjegjëse për financat. Administratori i fondit do të emërohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës pas një procedure përzgjedhëse. Qytetarët që refuzojnë të bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të kenë disa penalitete.
“Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë: Nuk marrin shërbime kadarstale; Nuk marrin shërbime nga e-albania; Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit,”- thuhet në nenin 33 të projektligjit.
Në projektligj ende nuk ka një përllogaritje për shumën e sigurimit që do të duhet të paguajnë qytetarët apo dhe bizneset që posedojnë një pronë.
“Metodologjia e përcaktimit të primit, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për Tërmetet pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare,”-shkruhet ndër të tjera në projektligj.
Ligji parashikon krijimin e Fondit Kombëtar të Tërmeteve, i cili do të jetë në pronësi të shtetit dhe do të drejtohet nga Ministri i Financave. Fondi do financohet nga policat e sigurimit, komisionet e marra nga transaksionet e risigurimit i dhe të ardhurat nga investimi. Fondi do jetë përgjegjës për shitjen e policave të sigurimit; administrimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet; krijimin e përfitimeve nga investimi i të ardhurave nga policat e sigurimit; risigurimin e primit. Funksioni më i rëndësishëm i fondit do jetë trajtimi dhe pagesa e dëmeve nga tërmetet./ZËRI
Projektligji më poshtë: ⇓
Dokumenta bashkëngjitur
