Një numër qytetesh në Francë kanë vendosur ndalim-qarkullimi gjatë natës për të rinjtë, pas një vale dhune të lidhur me trafikun e drogës.
Qyteti i fundit që mori këtë masë është Nîmes, në jug të Francës, ku autoritetet vendore e arsyetojnë ndalimin si përpjekje për të “mbrojtur të miturit nga ekspozimi ndaj dhunës” dhe për të “qetësuar tensionet”. Ndalesa zbatohet nga ora 21:00 deri në 06:00, ndërkohë që janë shtuar edhe forcat e policisë.
Gjatë muajit të fundit në këtë qytet janë regjistruar disa të shtëna, përfshirë një në mes të ditës, që lanë një person të vdekur dhe disa të plagosur. Javën e kaluar, trupi i një 19-vjeçari u gjet i djegur në periferi të Nîmes. Kryetari i bashkisë, Jean-Paul Fournier, deklaroi se situata është bërë “e papërballueshme” dhe se trafikantët kanë krijuar një “klimë frike dhe terrori”.
Zëvendëskryetari Richard Schieven shtoi se masa synon të mbrojë jo vetëm të miturit që nuk kanë lidhje me drogën, por edhe ata 12 apo 13 vjeç që shfrytëzohen nga trafikantët.
Në Béziers, një qytet 120 km më në jugperëndim, ndalim-qarkullimi për fëmijët nën 13 vjeç është në fuqi që nga viti i kaluar, ndërsa që nga marsi është zgjeruar edhe për të miturit nën 15 vjeç në disa zona. Kryebashkiaku Robert Ménard deklaroi në vitin 2024: “Një fëmijë 10-vjeçar që endet në rrugë në orën 2 të mëngjesit nuk është aty për asgjë të mirë.”
Megjithatë, dhuna në Béziers vazhdon. Fundjavën e kaluar, të rinj me maska sulmuan policinë me fishekzjarrë, pasi i kishin joshur fillimisht në kurth – sipas mediave lokale.
Sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm në vitin 2024, 110 persona kanë humbur jetën dhe mbi 300 janë plagosur nga dhuna e lidhur me drogën.
Përballë kësaj vale kriminale, ministrat Gérald Darmanin (Drejtësia) dhe Bruno Retailleau (Brendshëm) kanë shtyrë një ligj të ri në parlament, që përfshin:
-Dy burgje të sigurisë maksimale për baronët e drogës,
-Një njësi të specializuar të prokurorisë,
-Më shumë kompetenca për hetuesit,
-Status të mbrojtur informatorët.
Të martën, Darmanin njoftoi se 17 trafikantët më të rrezikshëm të vendit janë transferuar në burgun me siguri të lartë në Vendin-le-Vieil, në veri të Francës.
Këtë pranverë, shpërthime me armë zjarri dhe zjarrvënie në disa burgje franceze u konsideruan si sulm hakmarrës i bandave të drogës ndaj goditjeve të qeverisë, shkruan BBC
