Pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Universitetin Bujqësor të Tiranës, pasditen e së martës, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 29 pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, që akuzohen si të përfshirë në abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Provat, që nga përgjimet dhe të dhënat fiktive për tenderat, kanë dërguar në gjykatë zyrtarët dhe përfaqësues të firmave. SPAK ka hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90 milionë lekë.
Dosja e 27 zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës është dërguar nga SPAK në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Gjithashtu, mes tyre në organin gjykues janë edhe dy persona, përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.
Sipas Prokurorisë së Posaçme janë hetuar 9 (nëntë) procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë) lekë. Si prova janë marrë përgjimet e bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT-së, vëzhgime dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit me autoritet kontraktor, UBT. Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundërligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së. Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomikë konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
Në të gjitha procedurat e prokurimit, operatorët ekonomikë fitues “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.
