Aulon Kalaja
DURRËS- Kandidati në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Durrës, Aulon Kalaja është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kalaja bëri me dije para mediave se arsyeja e paraqitjes së tij në SPAK është një padi në lidhje me pretendimin e tij se më 11 maj ka pasur krim zgjedhor, konkretisht në qarkun Durrës.
Kandidati tha para mediave se në KAS ka dorëzuar 8 prova të reja duke pretenduar se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) kishin detyrë të vijonin rinumërimin. Lidhur me gjetjen e këtyre provave Kalaja shton se KAS mendon se është gabim njerëzor, ai mendon që është krim zgjedhor. Ndaj edhe kërkoi që votat të rinumërohen me pamje filmike, por edhe të krahasohen procesverbalet me pamjet nga Qendrat e Numërimit.
“Rezultati im u ul me 105 diferenca, KAS vendosi në mënyrë të çuditshme që të ndërpresë numërimin, kur në Tiranë e Fier u rinumëruan të gjitha kutitë, për Durrësin u ndërprenë. Në KAS kam dorëzuar 8 prova të reja. Mendoj që kishin detyrë të vijonin rinumërimin. KAS mendon se është gabim njerëzor, unë mendoj që është krim zgjedhor. Ndaj erdha sot në SPAK. Kam kërkuar që votat të rinumërohen me pamje filmike. Nëse shohim votat me pamjet filmike shohim manipulimin e saj. Kam kërkuar që SPAK të analizojë ngjyrën e rezultatit se si janë prishur votat e mia”, tha Kalaja.
