“Riformatim në PD për 11 majin”! Berisha: Në fillim farsa elektorale. Sula: Të dëgjohet Fisnik Qosja

Dashnor Sula, Sali Berisha dhe Fisnik Qosja

TIRANË-Deklarata e kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, se përveç farsës duhet edhe një analizë brenda Partisë Demokratike për analizën e zgjedhjeve të 11 majit, ka hapur diskutim për opozitën. Qosja kërkoi një riformatim të thellë të partisë, nga baza deri në kryesi, menjëherë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet vendore të 11 majit.
“Nuk mund të presim më. Mjaft me justifikime, me akuza të brendshme, me fajtorë imagjinarë. PD-ja duhet të përballet me të vërtetën: jemi në krizë, dhe kjo krizë është prodhuar nga vetë brenda nesh. Nëse i thua njerëzve të garojnë dhe më pas i lë jashtë, nuk ke bërë garë – ke bërë një mashtrim. PD-ja nuk mund të predikojë meritokraci dhe pastaj të përjashtojë ata që i japin asaj besueshmëri. Ky është një gabim strategjik dhe moral. Një parti që nuk merr pjesë në reformën zgjedhore, në debatet parlamentare, në çështjet që prekin qytetarët, nuk është opozitë – është një spektator që shpreson për ndonjë gabim të kundërshtarit. Por kështu nuk fitohet. PD-ja po vetëpërjashtohet nga loja dhe kjo është katastrofike,” -deklaroi Qosja në A2 CNN, duke e cilësuar aktualen si një periudhë stagnimi të thellë për opozitën.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi kërkesën e Qoses, duke u shprehur se Partia Demokratike është parti e hapur dhe transparente, por gjatë kësaj periudhe, fokusi është në paraqitjen e të vërtetava sa i përket farsës elektorale. Gjithsesi Berisha garantoi se nuk do të pengojnë PD të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj.
“PD është parti e hapur, transparente dhe e gatshme të analizojë të gjithë veprimtarinë  e saj në dritën e së vërtetës. Por në këtë periudhë PD po paraqet të vërteta të mëdha të farsës elektorale. Dhe po paraqet me dokumente zyrtare, të pakundërshtueshme, të gjitha këto nuk do të pengojnë PD të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj’, shprehet Berisha.
Në lidhje me mendimin për një analizë brenda PD ka ndërhyrë edhe deputeti demokrat Dashnor Sula, i cili i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të marrë në konsideratë thirrjen e kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja. Sula, në një postim në Facebook, shkruan se kryebashkiaku demokrat i Kavajës, Fisnik Qosja, është një vlerë e shtuar në PD, i cili tregoi se me punë arriti ta fitonte betejën elektorale me socialistët. Sipas deputetit, Partia Demokratike do të duhet që të reformohet dhe në postet drejtuese të jenë të rinjtë.
Postimi i Dashnor Sulës
Pse duhet të degjohet ajo çfarë tha kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja?! Më në fund dje, pas më shumë se dy muajsh dikush nga te “preferuarit” në PD doli publikisht për të kërkuar ndryshime të thella në PD. E thënë nga Fisnik Qosja, kërkesa për reformim të thellë në PD ka një vlerë edhe më domethënëse. Fisnik Qosja është një i ri i cili theu “mitin” se mazhoranca aktuale nuk mundet me Ramën kryeministër. Qosja tregoi se edhe farsa nuk bën punë kur ka alternativë të re dhe punë të palodhur.
Fatkeqësisht, si Fisniku këto kohë mendojnë shumë pak. Janë shumë pak sepse në Partinë Demokratike, parimi i futjes në garë për të fituar ka shkuar me kohën. Mendimi më dritë gjatë në selinë blu është si të mbajmë karriget tona e ta përdorim për ndonjë skemë të vogël. Pikërisht nga këta llojë duhet të shkëputet PD.
OPSION PËR ZGJIDHJE?!
Që Partia Demokratike të mos mbesë një relike në histori, do duhet patjetër të reformohet. Në mënyrë që edhe Partia Demomratike të mos jetë si ato shifrat që jep INSTAT (POPULLSIA PO PLAKET), do duhet që të rienërgjizojë Partinë. Grupi Parlamentarë, ta tregojë në jetën parlamentare punën, ta justifikojnë mandatin që kanë marrë në masën 90% qyl nga kryetari. Secili prej tyre ta dëshmojë sa vlen.
Ndërkohë, Partia Demokratike, selia e saj, postet drejtuese në të duhet ti atribuohen të rinjve që e treguan në 11 Maj se nuk mungojnë por se nuk u lihet hapsirë. Partia Demomratike duhet të bëj një analizë të thellë të rezultateve të 11 majit, të performancës në vitet e kaluar, të ndahet nga galloshet e vjetra që janë bërë “gogoli” i qytetarëve.
Ajo që nuk duhet të ndodh në PD është ajo që në fakt po ndodh tani. Dështakët, humbsit serial mblidhen nëpër dreka peshku për të thurur kulisa në mënyrë që të mos analizohen humbësit dhe të sulmohen të rinjtë qe kanë qëllime dhe projekte për të sjellë demokratët në PUSHTET.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë brenda Partisë Demokratike, teksa edhe 10 muaj kanë mbetur nga mbarimi i mandatit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe duhet të rihyjë në zgjedhje për kryetar./ZËRI