Endrit Shabani akuzon: Njerëzit e Adriatik Lapaj na kanë kërcenuar me jetë që t’i lirojmë vendin atij!

Nga një lëvizje që nisi si simbol shprese dhe ndryshimi, “Shqipëria Bëhet” po shndërrohet në një tjetër histori shqiptare zhgënjimi politik. Akuza e fortë e Endrit Shabanit ndaj Adriatik Lapajt – që nga thyerja e premtimit për dorëheqje e deri te pretendimet për kërcënime – nuk është më thjesht një grindje paszgjedhore, por sinjal alarmi për kulturën politike që po ripërsëritet me të njëjtat tipare.
Sipas Shabanit, Lapaj kishte premtuar dorëheqjen në rast se lista do merrte vetëm një mandat. “Në fillim tha do japë dorëheqjen, pastaj tha do pyesë kryesinë, më vonë u shpreh se nuk e lejonin të dorëhiqej. Është e njëjta sjellje si klasa e vjetër politike – premtojnë dhe nuk e mbajnë fjalën”, deklaroi ai.

Ai shtoi se një sjellje e tillë minon standardet morale të cilat koalicioni ishte zotuar të mbronte. “Si t’u kërkoj kandidatëve të listës të mbajnë fjalën, kur vetë lideri nuk e bën?”, tha Shabani.
Gjatë fushatës, sipas tij, anëtarët e Nismës Thurje ishin të përjashtuar nga vendimmarrja. “Lapaj vendoste kush flet, si flet. Nuk pyeste për askënd”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Shabani denoncoi edhe kërcënime të pretenduara nga persona të afërt me Lapajn, përfshirë një kushëri të tij, Aranit Rexhepaj. “Na kanë thënë: ‘Tërhiqu me të mirë, se ka edhe me pahir’. Janë përmendur edhe fëmijët e një prej kandidatëve, Zeqir Kordhoni”, tha ai.
Lapaj, i promovuar si një zë i ri me standarde të reja, është vendosur sot përballë dilemës klasike: pushtet apo parim? Nëse është e vërtetë që ka premtuar dorëheqjen dhe më pas është tërhequr, kjo e përplas direkt me vetë themelin moral mbi të cilin ndërtoi reputacionin e tij.
Endrit Shabani, nga ana tjetër, ka bërë një akt të rrallë në politikën shqiptare: ka dhënë dorëheqje dhe ka kërkuar që mandati t’i kalojë kundërshtarit të tij të brendshëm, duke preferuar moralin ndaj karriges. Por ajo që trondit më shumë është përmendja e kërcënimeve – madje edhe ndaj fëmijëve të kandidatëve. Nëse këto janë të vërteta, atëherë “ndryshimi” që premtohej është kthyer në farsë.
Në vend të një projekti qytetar me frymë alternative, po shohim një strukturë që përsërit metodat primitive të përjashtimit, kontrollit dhe presionit. E trishtë, por jo e papritur për një vend ku morali politik shpesh mbytet sapo zbret në parlament.