Fati i shqiptarëve? Nigel Farage: Kam rënë dakord me Ramën që të marrë mbrapsht të burgosurit

Nigel Farage dhe Edi Rama

BRITANI E MADHE-Deputeti britanik Nigel Farage ka pohuar se kryeministri shqiptar, Edi Rama ka rënë dakord të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë nga Britania. Gjatë një konference për shtyp ku prezantoi politikën e partisë së tij për drejtësinë penale, Nigel Farage deklaroi se është në bisedime me kryeministrin Edi Rama sa i përket çështjes së të burgosurve shqiptarë në Britani.
“Jam në bisedë me Edi Ramën nga Shqipëria dhe mendoj se ai ka rënë dakord që do të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen në këtë vend, gjë që është mjaft pozitive.”-u shpreh ai, raporton Telegraph.
Këto komente duket se vijnë pasi Farage e sfidoi Ramën në platformën ‘X’ që të marrë mbrapsht kriminelët shqiptarë, pas akuzave që i bëri për hipokrizi lidhur me komentet që ky i fundit kishte bërë për Britaninë, duke e përshkruar atë si një “vend i errët” pas daljes nga BE.
Për të krijuar më shumë kapacitet burgjesh në Britani, Farage propozoi që partia të ndërtonte “burgjet Nightingale”, një formë burgu të vogël të frymëzuar nga spitalet e përkohshme të ndërtuara gjatë pandemisë ‘Covid-19’.

‘Debati’ mes Farage dhe Ramës
Gjithçka filloi pasi kryeministri Edi Rama në një intervistë për “The Guardian”, refuzoi sërish ndërtimin e një qendre azilantësh në Shqipëri nga Anglia. Deklarata e Ramës,solli një reagim të ashpër nga politikani britanik Nigel Farage në median “GBNews”. Farage tha se në Britaninë e Madhe shqiptarët janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë janë në burg. Kreu i qeverisë shqiptare e sfidoi për një përballje shifrash reale, ndërsa u zotua se nëse pretendimi i tij rezulton i vërtetë, atëherë ai do t’i marrë të gjithë në Shqipëri.
Farage, një figurë e njohur e politikës britanike dhe zë i fortë i fushatës së Brexit-it, ngrit sërish pretendimin se 1 në 48 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar është në burg, duke kërkuar tashmë publikisht që këta të deportohen në Shqipëri. Teksa replikat vijojnë pritet të caktohet një datë për ardhjen e deputetit britanik në Shqipëri./ZËRI