‘Tiranës i mungon drejtimi’/ Veliaj në burg, Rama i qetë: E zëvendësuam me deputetët!

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit online është pyetur në lidhje me aksionon për lirimin e hapsirave publike në Tiranë.

Rama u shpreh se në kryeqytet ka pasur një situatë jo të zakonshme, referuar arrestimit të Erion Veliajt që ndodhet në burg prej 10 shkurtit.

Ai thotë se Tiranës i mungon drejtimi teksa shton se janë organizuar deputetët, të cilët sipas tij do të jenë më kërkues për sa i përket problematikave të kryeqytetit.

Rama: Kemi pasur në Tiranë një situatë, ju e dini shumë mirë, jo të zakonshme. Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet.

Kemi riorganizuar tërësisht veten duke vendosur deputetët në pozicion më kërkues, për sa i përket pikërisht për të qëndruar afër dhe për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre.

Ka qenë absolutisht nga të katërt anët e kryeqytetit e qartë kërkesa nr 1 që na çlironi hapësirat publike.