Benjamin Netanyahu
SHBA-Shtëpia e Bardhë është e alarmuar nga vendimet e kryeministrit Benjamin Netanyahu në Siri. Zyrtarë të shumtë të administratës Trump, e kanë quajtur kryeministrin një “të çmendur” dhe “fëmijë që thjesht nuk sillet mirë”.
“Bibi u soll si i çmendur. Ai bombardon gjithçka gjatë gjithë kohës. Kjo mund të minojë atë që Trump po përpiqet të bëjë,” -i tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë medias amerikane.
“Ndjesia është se çdo ditë ka diçka të re. Çfarë dreqin?” thotë një zyrtar i dytë i lartë amerikan pasi një predhë tanku izraelit goditi një kishë në Gaza, duke vrarë tre persona.
Një zyrtar i tretë thotë se në administratën amerikane po rritet skepticizmi në lidhje me Netanyahun dhe politikat e tij, duke shtuar se “Netanyahu ndonjëherë është si një fëmijë që thjesht nuk do të sillet mirë”.
Sipas raportit, i dërguari special i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, i kërkoi Izraelit të martën të ndalonte sulmet ndaj Sirisë për t’i hapur rrugë diplomacisë, dhe Izraeli u pajtua. Megjithatë, të mërkurën, Izraeli kreu sulme të gjera në Siri, duke përfshirë selinë e tij ushtarake dhe pranë pallatit presidencial.
