Edi Rama ndan pamje nga Velipoja, një shembull unik i menaxhimit të mirë të plazheve publike

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga e diela në plazhin e mrekullueshëm të Velipojës, duke vënë në pah përmirësimet e dukshme që ka sjellë menaxhimi i ri nga Bashkia Shkodër i hapësirës bregdetare të dedikuar për plazhin publik. Ky është një zhvillim që vjen pas vitesh problematikash të grumbulluara, ku abuzime të ndryshme nga individë apo grupe interesi kanë kufizuar hapësirat e pushuesve dhe kanë cenuar ligjzbatimin.

Pamjet e shpërndara tregojnë një plazh të organizuar më mirë, me një menaxhim që garanton pastërti, qasje të lirë dhe kushte më dinjitoze për pushuesit. Ky ndryshim evidentohet si rezultat i një pune të qëndrueshme nga autoritetet vendore për të rikthyer hapësirën publike tek qytetarët, duke përmbushur një kërkesë të kahershme të banorëve dhe vizitorëve.
Plazhi i Velipojës prej vitesh konsiderohet një ndër plazhet më të bukura dhe më të frekuentuara të Shqipërisë, jo vetëm për gjatësinë e brezit të tij rëror, por edhe për cilësitë kuruese që i atribohen rërës së imët dhe ujërave të kristalta. Ky plazh është një oaz i qetësisë dhe natyrës, një mundësi e rrallë për ta shijuar detin në një breg të gjerë, të pastër dhe të mirëmenaxhuar, ku bashkohen bukuria natyrore dhe përkujdesja institucionale.
Në këtë mënyrë, Velipoja jo vetëm që ruan statusin e saj si një destinacion i preferuar për pushuesit vendas dhe të huaj, por shërben edhe si shembull i qartë se si menaxhimi i duhur dhe përkushtimi ndaj interesit publik mund ta kthejnë një problem shumëvjeçar në një histori suksesi.
Albert Vataj