Pamje nga vendngjarja
VLORË- Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me një sherr të ndodhur në Palasë, në një nga klubet më të njohura në zonë, “Lollipop”. Në njoftim bëhet me dije se konflikti ka ndodhur mes disa personave, por që nuk janë përdorur armë zjarri dhe nuk ka të plagosur. Policia bën me dije se është lënduar një person, por që nuk ka qenë i përfshirë në konflikt.
Njoftimi:
Në lidhje me një video të publikuar dhe në rrjetet sociale, për një konflikt të ndodhur në një lokal në Palasë, ju informojmë se shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi janë njoftuar menjëherë për këtë rast, më datë 19.07.2025, rreth orës 02:45. Nga verifikimet paraprake, nuk janë konstatuar persona të dëmtuar si pasojë e këtij konflikti, por është dëmtuar lehtë, gjatë kohës që po largohej nga ambientet e lokalit, shtetasi A. V., i cili nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në konflikt. Vijon puna për identifikimin e personave të përfshirë në këtë konflikt dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga ana tjetër, Policia nuk jep asnjë të dhënë për personat e përfshirë në konflikt. Ndërsa dëshmitarë okularë tregoj në për ZËRI se njerëzit janë lënduar teksa largoheshin të panikosur nga klubi pasi kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri./ZËRI/
