Autoritetet në Irak vazhdojnë hetimet për zjarrin shkatërrimtar që përfshiu një qendër tregtare në qytetin Kut, duke lënë të vdekur 63 persona, mes tyre 18 trupa të paidentifikueshëm që do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së. Zjarri shpërtheu të mërkurën në katin e dytë të ndërtesës pesëkatëshe “Corniche Hypermarket”, vetëm pak ditë pasi ajo ishte hapur për publikun. Flakët nisën në zonën ku shiteshin parfume dhe produkte kozmetike, dhe përhapja e shpejtë e zjarrit nxori në pah mungesën alarmante të standardeve të sigurisë.
Guvernatori i provincës Wasit, Mohammed al-Miyahi, akuzoi pronarin e ndërtesës se nuk kishte respektuar asnjë nga rregullat bazë të sigurisë nga zjarri dhe se objekti nuk kishte marrë lejet përkatëse. Ai konfirmoi se djali i pronarit të qendrës dhe disa anëtarë të tjerë të familjes së tij janë në mesin e viktimave. Ekipet e mbrojtjes civile arritën të shpëtojnë 45 persona, por shumë mbetën të bllokuar në katet e sipërme, ku u kapën nga tymi dhe flakët.
Në një reagim të menjëhershëm, këshilli provincial i Wasit votoi për pezullimin e zyrtarëve lokalë përgjegjës për komunën e Kut dhe sigurinë në vendin e punës, si dhe për ngritjen e komiteteve që do të inspektojnë të gjitha ndërtesat për shkelje të mundshme. Paditë ligjore ndaj pronarit të ndërtesës dhe pronarit të qendrës tregtare janë tashmë në proces, ndërsa të dy nuk janë kontaktuar ende për të dhënë deklarata.
Ngjarja është një tjetër tragjedi që shton listën e gjatë të zjarreve fatale në Irak, ku ndërtimet pa mbikëqyrje të rreptë dhe përdorimi i materialeve të rrezikshme kanë rezultuar shpesh në pasoja katastrofike. Kujtojmë se në vitin 2021, një zjarr në një spital në Nasiriyah mori jetën e deri në 92 personave për shkak të paneleve të ndaluara “sanduiç”, ndërsa në vitin 2023, më shumë se 100 persona humbën jetën në një zjarr në një sallë dasmash në provincën Nineveh.
