Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh ka zbuluar përhapjen e shpejtë të një gjeni të ri bakterial, të quajtur npmA2, që po trondit komunitetin shkencor për shkak të fuqisë së tij për t’iu dhënë baktereve rezistencë ndaj antibiotikëve, të përdorur në trajtime spitalore, veçanërisht në terapitë intensive.
Gjeni npmA2, i cilësuar nga studiuesit si një “paketë superfuqish” për bakteret, është identifikuar pas analizimit të mbi 1.9 milionë mostrave të gjeneve bakteriale në shkallë globale. Ky zbulim është publikuar më 17 korrik në revistën prestigjioze Nature, dhe paralajmëron për një skenar shumë shqetësues në fushën e shëndetësisë.
Çfarë e bën npmA2 kaq të rrezikshëm?
Ky gjen ka aftësinë të shkëmbehet mes specieve të ndryshme bakteriale, duke rritur ndjeshëm rrezikun e shpërthimeve epidemike në spitale, ku pacientët janë më të brishtë. Shkencëtarët theksojnë veçanërisht rrezikun e transferimit të rezistencës ndaj pan-aminoglikozidëve, një grup antibiotikësh të fuqishëm të përdorur në raste kritike.
“Duhet të jemi të përgatitur”
Profesori Bruno González-Zorn, udhëheqësi i studimit dhe ekspert në Universitetin Complutense të Madridit, e cilëson npmA2 si një kërcënim real:
“Ky gjen është përhapur tashmë në njerëz, kafshë dhe në mjedis. Ne duhet të përgatitemi për rrezikun që ai mund të shkaktojë epidemi në repartet e kujdesit intensiv.”
Ai shton se do të ndërmerren masa shtesë në laboratorët klinikë të mikrobiologjisë për të parandaluar përhapjen e mundshme të këtij “supergjen”.
Ky zbulim i ri e thekson edhe një herë nevojën urgjente për kontroll të rreptë të përdorimit të antibiotikëve, për monitorim ndërkombëtar të baktereve rezistente dhe për zhvillimin e terapive të reja, përpara se “superfuqitë” bakteriale të kthehen në një krizë të pakontrollueshme globale.
