KPA pezullon prokuroren Elona Alvora, e rikthen në Shkollën e Magjistraturës

Këtë të mërkurë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar nga detyra prokuroren Elona Alvora, duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në vendimin e KPA, thuhet se prokurorja Elona Alviora pezullohet nga detyra për 1 vit dhe detyrohet që të rikthehet në Shkollën e Magjistraturës për të ndjekur programin e trajnimit sipas kurrikulave.
Në vendimin e marrë ditën e sotme nga trupa me kryesuese Ina Ramën, u evidentua se prokurorja Alvora ka mangësi të cilat mund t’i përfitojë duke ndjekur programet trajnuese në Shkollën e Magjistraturës. Alvora është aktualisht prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Vendimi për konfirmimin e saj në detyrë ishte apeluar nga Komisioneri Publik në vitin 2022.

Komisioneri Publik konstatoi në atë kohë se procesi i hetimit i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka qenë i plotë, e për rrjedhojë nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet për konfirmim në detyrë. Komisioneri Publik kërkoi hetim të mëtejshëm për aftësitë profesionale të prokurores Alvora, pasi thotë se përfundimet e KPK për këtë kriter kontrolli nuk gjejnë mbështetje të plotë në aktet dhe provat e administruara.