Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka kritikuar ashpër kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, duke e akuzuar për përfshirje në skandale korrupsioni dhe menaxhim të dobët të projekteve publike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bylykbashi thotë se Emirjana “ka kuak-kuakur” nga “këneta e qelbur e bashkisë” dhe ofron një model patetik për qytetarët e Durrësit, duke përdorur pozitat e saj për të mbushur xhepat me para publike.
Po ashtu, Bylykbashi ka përmendur disa kontrata dhe tendera problematike, si ai për dërgimin e mbetjeve të Durrësit në inceneratorin e Tiranës, i cili sipas tij është një kontratë fasadë, pasi inceneratori nuk ekziston.
Po ashtu, ai ka ngritur shqetësimin mbi tenderin për Ecopark, ku nga 19 milionë euro të tenderuara për realizimin e projektit, vetëm 6.5 milionë janë përdorur për punën, ndërsa 12.5 milionë euro janë “vjedhur”.
“Emirjana, drejtoresha e bashkisë kishte kuak-kuakur sërish sot nga këneta e qelbur e bashkisë ku lëvrin mes korrupsionit dhe krimit. Kishte venë edhe avatarin në video. Patetizmi prej garipeje në kolltuk pushteti është modeli që i ofron durrsakëve. Çfarë halli ka? Firma në kontratën e dërgimit të mbetjeve të Durrësit per më shume se 40 euro për ton tek inceneratori i Tiranës që nuk egziston? Apo Ecopark ku nga 19 milionë euro të tenderuara, puna u krye me vetëm 6,5 milionë dhe 12,5 milionë euro u vodhën? Është në SPAK kallëzimi, apo nuk e di? Apo e ka për firmat e aferave të rindërtimit. Ka plot afera të tjera që ka firmosur. Çdo firmë e ka të gjatë parashkrimin e ndjekjes penale. Shumë të gjatë”, shkruan Bylykbashi.
