Foto ilustruese
TIRANË- Të gjitha burgjet e Shqipërisë i janë nënshtruar një kontrolli blic nga uniformat e Policisë së Shtetit. Kontrolli vjen pas skandaleve të fundit që kanë bërë bujë në media për “takimet speciale” që zhvillojnë të burgosurit me vajza të njohura të ekranit. Takimet speciale janë të lejuara, por vizitorja ka një marrëdhënie me të burgosurin, ndërsa në rastet e burgjeve shqiptare, takimet janë të mundësuara nga manipulimet e regjistrave ku shënohen hyrje-daljet në institucionet që duhet të kenë si qëllim vuajtjen e dënimit.
Për të fshehur gjurmët, është zbuluar se të burgosurit në Shqipëri, në shumicën e rasteve shënojnë identitetin e një tjetër të burgosuri.
Por sot, kontrollet nuk janë ushtruar vetëm për takimet, por edhe për sende të ndaluara, siç është për shembull telefoni, që gjithsesi të burgosurit e kanë gjetur mënyrën për t’i futur brenda 4 mureve të qelive.
Ndërkohë janë kryer dy transferime drejtuesish.
Altin Ago është emëruar në krye të burgut të Peqinit, ndërsa Qazim Hoxha drejtor i IEVP Elbasan. Prej prillit 2025 institucioni i vuajtjes së dënimit të Peqinit ka qenë me drejtues të komanduar që prej Prillit 2025, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Florenc Doka, por tashmë detyra është marrë nga Ago. Në të shkuarën, Ago ka mbajtur postin e drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Elbasan, e po ashtu ka qenë kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013 në qarkun e Elbasanit./ZËRI
