‘Duhet të kesh mik për të blerë qumësht…’/ Korreshi: Blegtoria ka rënë në 37%, fshatrat janë të varfër në prodhim

Në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, deputeti i PD, Saimir Korreshi, ka folur në lidhje me gjendjen e mjerueshme të në vend.

Ai tha se blegtoria ka rënë me 37% dhe fshatrat sot janë të varfër në prodhim, deri në atë pikë sa banorët detyrohen të blejnë qumësht në qytet. Korreshi përmendi gjithashtu mënyrën e paligjshme të grumbullimit të qumështit dhe mungesën e transparencës fiskale në baxhot.

“Në raportin e fundit që 37% ka rënë blegtoria në Shqipëri. Ka qenë një lajm para 20 ditësh tek ju dhe tek të gjithë televizionet. Kjo do të thotë që po shkon drejt 0. Unë kam katër vite në parlamentin e Shqipërisë që them se fshati ka kohë që blen qumësht në qytet. Realisht nëpër fshatra sot është thuajse e pamundur të gjesh blegtori si në kohën e mëparshme. Çdo fshatar më parë mbante 2 ose 3 lopë në shtëpi dhe tani shumë shumë pak mbajnë, sepse kostoja është jashtëzakonisht e madhe.

Tani këtu ka dy fenomene: e para, nëse marrim e shohim sa lopë ka fshati në proporcion me banorët, nuk del për fshatin, jo më për qytetin. Duhet të kesh mik të blesh një bidon qumësht të mirë, nëse do e quajmë, të jetë drejt për së drejti nga lopa. Pasiguria ushqimore është pikërisht tek baxhot. Ka kaq kohë që grumbulluesit e qumështit mbledhin qumësht pa asnjëlloj fature tatimore. Si e kanë kontrolluar deri tani tatimfitimin dhe hyrjen e daljen e këtyre baxhove? Së dyti, përpara se t’i bësh këtë kërkesë fshatit, duhet të rimbursohet.” – tha Korreshi.