Faktorët e shëndetit metabolik, përfshirë rritje të lehta të nivelit të sheqerit në gjak, janë ndër shkaktarët kryesorë të ndryshimeve në sistemin riprodhues dhe funksionin seksual të burrave me kalimin e moshës, sipas një studimi që po paraqitet të shtunën në ENDO 2025, takimi vjetor i Shoqatës së Endokrinologjisë në San Francisko, Kaliforni.
“Edhe pse mosha dhe nivelet e testosteronit janë konsideruar prej kohësh si arsyeja kryesore e rënies së shëndetit seksual tek burrat, kërkimi ynë tregon se këto ndryshime lidhen më ngushtë me rritje të moderuara të sheqerit në gjak dhe ndryshime të tjera metabolike,” tha Michael Zitzmann, mjek dhe profesor në Spitalin Universitar të Muensterit, Gjermani. “Kjo do të thotë se burrat mund të marrin masa për të ruajtur ose rikthyer shëndetin e tyre riprodhues përmes stilit të jetesës dhe ndërhyrjeve të përshtatshme mjekësore.”
Këto përfundime vijnë nga një studim afatgjatë i burrave të shëndetshëm (pa diabet, sëmundje zemre dhe/ose kancer), të moshës 18–85 vjeç, që filloi në vitin 2014 me 200 pjesëmarrës dhe përfundoi në vitin 2020 me 117. Studiuesit analizuan ndryshimet progresive në parametrat hormonalë dhe të spermës, funksionin erektil dhe shëndetin metabolik (BMI dhe nivelet e sheqerit në gjak të matur përmes testit HbA1c).
Gjetjet treguan se me kalimin e kohës, nivelet hormonale dhe parametrat e spermës mbetën kryesisht brenda kufijve normalë. Megjithatë, lëvizshmëria e spermës dhe funksioni erektil ranë tek burrat me nivele pak të rritura të sheqerit në gjak, nën pragun prej 6.5% të testit HbA1c që shënon diabetin. Studimi gjeti gjithashtu se nivelet e testosteronit nuk kishin ndikim të drejtpërdrejtë në funksionin erektil, por kishin lidhje me vlerësimin e dëshirës seksuale të pjesëmarrësve.
“Shpresojmë që të dhënat nga ky studim të ndihmojnë mjekët dhe pacientët në hartimin e planeve efektive për ruajtjen e shëndetit seksual të burrave,” shtoi Zitzmann. “Tashmë e dimë që është në dorën tonë të ruajmë mirëqenien seksuale dhe riprodhuese të burrave, edhe kur ata plaken.” / Newswise – Syri.net
