Që kur Presidenti amerikan Donald Trump vetëm pak ditë pas fillimit të mandatit të tij të dytë – nisi të vendoste tarifa ndaj Kinës për rolin e saj në rrjedhën e opioideve vdekjeprurëse si fentanili drejt Shteteve të Bashkuara, mesazhi i Pekinit ka qenë i qartë.
Kriza e fentanilit është “problemi i SHBA-së”, kanë thënë vazhdimisht zyrtarët kinezë, dhe Kina ka bërë tashmë “një punë të jashtëzakonshme” për ta trajtuar çështjen.
“Jemi të gatshëm për bashkëpunim praktik me SHBA-në, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Megjithatë, i kundërshtojmë fuqishëm presionet, kërcënimet dhe shantazhin nga SHBA-të nën pretekstin e çështjes së fentanilit,” tha një zëdhënës në mars, pasi tarifat për fentanilin u rritën në 20% për të gjitha importet kineze në SHBA.
Por ndërsa këto tarifa mbeten në fuqi, pavarësisht një armëpushimi për tarifa të tjera, Pekini sinjalizon se po i kushton vëmendje çështjes – dhe mund të jetë i gatshëm të bëjë më shumë.
Në fund të muajit të kaluar, Kina njoftoi se do të shtojë edhe dy përbërës të fentanilit në listën e saj të substancave të kontrolluara – një hap i pritshëm që e përputh me rregulloret ndërkombëtare, të cilin diplomatët e saj e paraqitën si shenjë të “pjesëmarrjes aktive” në kontrollin global të drogës.
Disa ditë më herët, autoritetet kineze shtuan kontrollet edhe për një grup tjetër të drogave të njohura si nitazene – opioide sintetike të fuqishme që kanë alarmuar zyrtarët globalë të shëndetësisë. Po atë ditë, Ministri kinez i Sigurisë Publike Wang Xiaohong i tha ambasadorit amerikan në Kinë, David Perdue, se Pekini është i hapur për forcimin e “bashkëpunimit praktik” në fushën e kontrollit të drogave.
SHBA fajëson Kinën për krizën e fentanilit
Administrata Trump fajëson Kinën për “mbështetjen e vazhdueshme” të rrjedhës së fentanilit – një opioid sintetik, shumë herë më i fuqishëm se heroina – drejt SHBA-ve. Abuzimi me këtë drogë dhe derivatet e saj ka shkaktuar një krizë vdekjeprurëse në SHBA, duke vrarë dhjetëra mijëra amerikanë çdo vit, edhe pse në vitin 2024 u pa një rënie e ndjeshme.
Sipas Pekinit, Kina ka vepruar përtej standardeve ndërkombëtare për të ndaluar rrjedhën e fentanilit dhe përbërësve të tij nga industria e saj farmaceutike gjigante. Në vitin 2019, Pekini e klasifikoi fentanilin si një klasë droge – një hap domethënës që sipas ekspertëve dhe zyrtarëve amerikanë uli ndjeshëm eksportet e drejtpërdrejta të drogës nga Kina në SHBA.
Por rrjetet kriminale u përshtatën shpejt. Grupet kineze kaluan në shitjen e kimikateve pararendëse drejt laboratorëve në Meksikë të mbështetur nga kartelet, ku më pas prodhohej dhe shpërndahej fentanili i paligjshëm në SHBA. Kina ka shtuar kontrollin mbi disa nga këta përbërës, por SHBA dhe ekspertët thonë se duhet bërë më shumë – pasi Kina mbetet burimi kryesor i produkteve për prodhimin e fentanilit ilegal në Meksikë dhe vende të tjera.
A po e përdor Kina bashkëpunimin si monedhë shkëmbimi?
Zyrtarët kinezë nuk e kanë lidhur drejtpërdrejt kontrollin e fundit të këtyre substancave me marrëdhëniet me SHBA-të, por e paraqesin si një tjetër shenjë të “vullnetit të mirë” të Kinës, ndërkohë që refuzojnë justifikimin për tarifat.
Megjithatë, Pekini me gjasë shpreson që këto hapa të vlerësohen gjatë negociatave tregtare me SHBA. Pyetja që shtrohet është nëse këto masa do të ndikojnë te Uashingtoni – dhe nëse palët do të mund të bashkëpunojnë më tej në këtë çështje, nëse marrëdhëniet në përgjithësi mbeten të tensionuara.
“Nëse Uashingtoni nuk e njeh publikisht përpjekjen e Kinës dhe nuk tregon ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të saj, bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit mund të dështojë,” thotë Ryan Hass nga Instituti Brookings.
“Helmimi i qytetarëve tanë”
Në mes të tensioneve për teknologjinë dhe militarizimin e Kinës në Detin e Kinës Jugore, roli i Kinës si prodhues i drogave që nxisin krizën e opioideve është bërë një nga çështjet më personale për udhëheqësit amerikanë.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e quajti vendimin e Xi Jinping për të klasifikuar fentanilin si drogë të kontrolluar një “gjest të mrekullueshëm humanitar.”
Por gjashtë vjet më vonë, Trump nisi mandatin e dytë duke akuzuar Kinën për “mbështetjen dhe zgjerimin e biznesit të helmimit të qytetarëve tanë” – një akuzë që Kina e mohon me forcë.
Kjo bie në kontrast me një raport të DEA-s amerikane, i cili në maj tha se pastërtia e fentanilit kishte rënë gjatë vitit 2024, çka tregon se laboratorët në Meksikë kishin vështirësi për të siguruar përbërësit – pasi disa furnizues kinezë ishin më të kujdesshëm, për shkak të kontrollit të shtuar.
Lojë strategjike nga Kina
Ekspertët thonë se lëvizjet e fundit të Pekinit janë hapa pozitivë që mund të ndikojnë në zinxhirët e furnizimit me drogë të paligjshme – por gjithashtu përfaqësojnë “manovrim të zgjuar”.
Sipas Vanda Felbab-Brown nga Brookings Institution, Kina i kishte planifikuar këto veprime që në vitin 2023, pas vendimit të OKB-së për t’i përfshirë këto përbërës në listën globale të substancave të kontrolluara.
“Ajo që bëri administrata Trump ishte të ‘rivendoste orën’, pa njohur se çfarë kishte bërë Kina më parë dhe çfarë ishte zotuar të bënte. Tani Kina mund të paraqesë të njëjtat veprime si të reja dhe t’i përdorë për negociata,” tha ajo.
Sipas saj, një qasje më efektive do të ishte të njiheshin përpjekjet e Kinës dhe më pas të kërkohej të plotësoheshin boshllëqet e programit të saj të kontrollit të drogës.
Një problem i SHBA-ve?
Pekini ka mbrojtur me forcë rekordin e tij për sa i përket kontrollit të fentanilit, duke publikuar një raport 7,000 fjalësh në mars për të treguar përpjekjet e veta, menjëherë pas vendosjes së tarifave nga Trump.
Kina kundërshtoi gjithashtu një raport të Kongresit amerikan që e akuzonte Partinë Komuniste për subvencionimin direkt të prodhimit dhe eksportit të fentanilit nëpërmjet lehtësimeve tatimore.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kinë ka shumë pak abuzim me opioidet – fakt që Pekini e përdor për të treguar se problemi është “oreksi amerikan për drogën”, jo furnizimi kinez.
Shkencëtarët kinezë të përfshirë në analizën e kimikateve të reja që përdorin grupet kriminale, theksojnë se zgjidhja e problemit nuk mund të arrihet vetëm me kontrolle – duhet të ulet kërkesa në SHBA.
