Macron kërkon reagim të shpejtë nga BE-ja pas tarifave të reja të SHBA-së ndaj mallrave evropiane

Bota E Shtunë, 12 Korrik 2025 20:40
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një reagim të shpejtë dhe të vendosur nga Bashkimi Evropian, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e tarifave 30% ndaj mallrave të importuara nga Evropa.
Në një postim në platformën X, Macron kërkoi që BE-ja të përshpejtojë përgatitjet për masa reciproke dhe të mbrojë interesat e saj strategjike.

“Më shumë se kurrë, është përgjegjësi e Komisionit të riafirmojë vendosmërinë e Unionit për të mbrojtur interesat evropiane,” shkroi ai.
Thirrja e presidentit francez vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Brukselit dhe Uashingtonit, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tarifat e reja që pritet të godasin sektorë të rëndësishëm të eksporteve evropiane, përfshirë farmaceutikën dhe bujqësinë.
Ndërkohë, Komisioni Evropian nuk ka dalë ende me një reagim zyrtar, por burime diplomatike brenda BE-së kanë konfirmuar se po shqyrtohet një paketë masash të mundshme reciproke për të ruajtur ekuilibrin tregtar dhe autoritetin ekonomik të bllokut.