Edi Rama, kryeminister
TIRANE- Gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me kryetarët e bashkive, Kryeministri Edi Rama njoftoi planet për ngritjen e një qendre të posaçme për monitorimin elektronik të kantiereve të ndërtimit në të gjithë vendin. Ai tha se të gjitha kantieret që kanë ndikim në jetën urbane do të jenë të detyruara të pajisen me kamera sigurie që transmetojnë pamje në kohë reale 24 orë në ditë, si dhe me sisteme GPS për të ndjekur lëvizjet e mjeteve dhe të materialeve ndërtimore.
Sipas Ramës, këto masa synojnë të frenojnë hedhjen e paligjshme të mbetjeve, si dhe të shmangin evazionin fiskal nga kompanitë e ndërtimit.
“Kontrolle territori që kanë filluar punën që te monitorimi i trafikut dhe do të bëhet tërësisht teknologjike me projektin e ri që kemi nisur me Emiratet e Bashkuara, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me territorin. Inspektimi i territorit do të mbështet nga një zhvillim i madh teknologjik. Duhet të ndërtojmë qendrën e monitorimit të ndërtimeve.
Agjencia e monitorimeve ka përgatitur një rregullore të re dhe të gjitha kompanitë e ndërtimit, flasim për pallate, që kanë impakte të caktuara për jetën e qytetarëve dhe të banorëve, që kantieret të pajisen të gjitha me kamera online 24 orë dhe të ndiqen online nga forcat e inspektimit. Të gjitha llojet e kantiereve të pajisen me GPS në mënyrë që të monitorohen, për hedhjen e mbetjeve apo edhe të futjes së materialeve, për të shmangur evazionet fiskale”, tha Rama./ZËRI
