Nga Brittany Chain, DAILY MAIL
Një agjente e Shërbimit Sekret është pezulluar pas atentatit ndaj Donald Trump, sepse nuk arriti të sigurojë perimetrin e tubimit elektoral.
Myosoty Perez ishte një nga gjashtë agjentët e pezulluar nga 10 deri në 42 ditë pas sulmit të 13 korrikut 2024 në Butler, Pensilvani.
Ajo ishte dërguar në vendin e tubimit paraprakisht dhe kishte një detyrë specifike: të ndihmonte në sigurimin e zonës përreth.
Qitësi Thomas Crooks, 20 vjeç, hapi zjarr me tetë plumba nga një çati afër, duke i shpëtuar për pak organeve jetësore të Trump dhe duke i gërvishtur veshin në një moment tronditës që u transmetua drejtpërdrejt në televizion.
Zjarrfikësi Corey Comperatore ndodhej në turmë dhe u vra tragjikisht nga një plumb qorr.
E veja e tij e pikëlluar, Helen, lëshoi një kritikë të ashpër ndaj Shërbimit Sekret për dështimin në mbrojtjen e “dashurisë së jetës së saj” gjatë një interviste për Fox News, pothuajse një vit pas ngjarjes.
“Ne ishim të gjithë si shënjestra të pambrojtura atë ditë,” tha ajo. “Gjakun tonë e kanë në duar! Jam e zemëruar. Humba dashurinë e jetës sime.”
Helen vuri në dyshim veprimet e agjentëve të Shërbimit Sekret atë ditë, duke pyetur: “Pse nuk ishin të vëmendshëm? Pse menduan se ajo çati nuk kishte nevojë të mbulohej?”
“Pse pikërisht Butler? Pse dështuan kaq rëndë?”
Dy kalimtarë të tjerë u plagosën gjatë të shtënave tragjike, përpara se një snajper të neutralizonte Crooks me një të shtënë fatale.
Drejtoresha e atëhershme e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, e cila kishte 28 vite në agjenci, dha dorëheqjen pak pas atentatit të dështuar ndaj Trump, në mes të thirrjeve të ashpra për përgjegjësi ndaj departamentit.
Avokati që përfaqëson disa prej agjentëve të pezulluar, Larry Berger, tha se Perez kishte “bashkëpunuar plotësisht gjatë gjithë hetimeve për çështjen”.
“Ajo tani po vendos për hapat e ardhshëm në këtë situatë,” tha ai.
Berger theksoi se Perez nuk ishte përgjegjëse për sigurinë e përgjithshme ditën e tubimit.
Një tjetër agjent që ndihmoi në koordinimin e sigurisë për tubimin raportohet gjithashtu se është pezulluar, së bashku me katër persona nga zyra rajonale e Pittsburgh.
Pezullimi i fundit raportohet të ketë qenë për një agjent të ekipit kundër-snajperëve.
Një raport i Shërbimit Sekret të SHBA-së, i publikuar vetëm disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2024, konfirmoi se “disa boshllëqe operacionale dhe të komunikimit i paraprinë atentatit të dështuar më 13 korrik.”
Dan Bongino — që tani shërben si Zëvendësdrejtor i FBI-së dhe më parë ka kaluar 11 vjet si agjent i Shërbimit Sekret — tha vitin e kaluar se ajo që ndodhi në Butler ishte një “dështim apokaliptik i sigurisë” dhe bëri thirrje për një pastrim total të niveleve të larta drejtuese në selinë e Shërbimit Sekret në Uashington.
