Spiropali në Sofje: Retorika e “Botës Serbe” është një kthim pas, shpresoj të jetë kalimtare

Nga Sofja, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka komentuar për herë të parë nismën e re të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të ashtuquajturën “Botë Serbe”. Në një prononcim për mediat, Spiropali e cilësoi këtë nismë si një rikthim në retorikën e së shkuarës dhe një pengesë për të ardhmen euroatlantike të rajonit.
“Uroj të jetë kalimtare,” tha ajo, duke theksuar nevojën për të vazhduar procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. “Shpresoj të vijojmë me njohjen reciproke dhe me proceset tona integruese në NATO dhe Bashkimin Europian,” shtoi Spiropali.

E pyetur për marrëveshjen trepalëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushën e sigurisë, Spiropali theksoi se kjo nismë zhvillohet brenda kuadrit strategjik të NATO-s dhe synon forcimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal, jo krijimin e ndasive.
“Ne do të donim që edhe vende si Bullgaria të ishin pjesë e kësaj qasjeje pro-evropiane dhe pro-sigurisë. Çdo veprim që nuk shikon nga e ardhmja, por ushqen narrativën e së shkuarës, është shqetësues për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë rajonin tonë,” u shpreh ajo.
Koncepti i “Botës Serbe” u përmend për herë të parë në vitin 2020 dhe që prej atëherë është konsideruar nga shumë analistë si një ringjallje e ideve që qëndruan pas konflikteve të përgjakshme në Ballkan në vitet ’90. Ndërkohë, Beogradi ka mohuar se kjo nismë ka prapavijë territoriale, duke e paraqitur si kujdes për serbët që jetojnë jashtë Serbisë.
Spiropali përfundoi duke theksuar se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi bashkëpunim dhe vlera euroatlantike, dhe jo mbi ndasi të së shkuarës.