SYRI TV/ Kavajë, përurohet shtatorja e Josif Budos, Berisha: Budo do na frymëzojë për të rikthyer shpresën

Bashkia e Kavajës ka vendosur në qendër të qytetit shtatoren e Josif Budos, i cili më 10 korrik 1990 u vra nga forcat sampiste, duke u bërë dëshmori i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se sakrifica sublime e Josif Budos duhet të shërbejë si frymëzim për të rikthyer shpresën në vend, ndërsa ish-ambasadori gjerman, Werner Daum, theksoi se sakrifica e Josif Budos ishte për krijimin e një Shqipërie të re.

Në këtë ceremoni morën pjesë ish-ambasadori gjerman Werner Daum, lideri i opozitës Sali Berisha, kryetari i Bashkisë Fisnik Qosja, si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Familjarët e Josif Budos deklaruan se sot Kavaja kërkon largimin e një tjetër regjimi, të ndërtuar nga qeveria socialiste.

Pas daljes nga burgu, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji deklaroi se burgosja politike është një realitet në diktaturën e re, dhe u shpreh se Budo ishte zëri i ndërgjegjes së kombit.

Edhe kreu i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, vlerësoi figurën e Josif Budos, të njohur si heroi i parë i demokracisë në Shqipëri.

Gjatë vizitës në Bashkinë e Kavajës, ish-ambasadori gjerman Werner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990.