Të shtunën, në aeroportin e Cyrihut, u arrestua reperi shqiptar Noizy. Sipas portalit të njohur zviceran ‘Watson’ ai akuzohet për disa vepra penale. Prokuroria ka kërkuar vendosjen e paraburgimit
Policia kantonale e Cyrihut arrestoi të shtunën në aeroport reperin shqiptar Noizy. Arrestimi u bë me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda me Dhunë, sipas deklaratës së policisë kantonale të hënën. Nuk u dhanë më shumë detaje.
Të martën, prokuroria sqaroi se 38-vjeçari akuzohet për disa vepra penale dhe ndaj tij po zhvillohet një procedurë penale. Për shkak të hetimeve në vazhdim, nuk jepen informacione të mëtejshme.
Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit pranë Gjykatës për Masat e Detyrueshme, por ende nuk ka një vendim. Deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga gjykata, vlen prezumimi i pafajësisë.
Fillimisht, reperi shqiptar kishte planifikuar një koncert në Rinora 4 në Rümlang. Artisti numëron gati katër milionë ndjekës në Spotify dhe mbi dy milionë ndjekës në Instagram.
Gjatë fushatës elektorale dhe pas rizgjedhjes së tij, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dalë në skenë me Noizyn.
Por që nga e shtuna reperi është bllokuar në Zvicër. Në aeroportin e Cyrihut i janë prishur planet për të prezantuar albumin e tij të ri live para publikut. Ai u arrestua gjatë hyrjes në vend. Koncerti nuk u mbajt, dhe të gjitha njoftimet në rrjetet sociale janë fshirë.
