Një incident i ndodhur më 8 korrik në ujërat e Ksamilit ka çuar në procedimin penal të pronarëve të dy jet-skive.
Policia e Sarandës njofton se shtetasit K. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, banues në Ksamil, janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Dyshohet se ata i kishin dhënë me qira dy Jet Ski turistëve francezë A. I. dhe I. I., pa qenë të regjistruar pranë autoriteteve kompetente për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Gjatë manovrave në det me një nga Jet Ski-t, shtetasi francez I. I. pësoi dëmtime të lehta dhe u transportua në spital, ku pas ndihmës mjekësore është jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të hetimeve për rastin, Policia Kufitare bllokoi dy mjetet lundruese dhe vendosi gjoba prej 1 mijë lekësh të reja për dy pronarët e jet-skive.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.
