Mitsotakis: Çdo migrant që hyn ilegalisht në Greqi do të arrestohet

Greqia do të ndalojë për tre muaj të gjitha seancat dëgjimore për azil për migrantët që mbërrijnë me anije nga Afrika e Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, teksa po listonte në Parlament masat e qeverisë për të adresuar krizën e migracionit pas rritjes së flukseve nga Libia.

Mitsotakis njoftoi krijimin e një strukture të mbyllur të përhershme në Kretë e cila do të mbajë ata që hyjnë ilegalisht në vend.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se qeveria vazhdon dialogun me Libinë dhe shprehu gatishmërinë e Forcave të Armatosura për të parandaluar largimin e anijeve nga brigjet e vendit afrikan.
Kështu, sot Mitsotakis ka thënë se janë marrë këto vendime:
– Pezullimi i shqyrtimit të kërkesave për azilpër 3 muaj për ata që mbërrijnë në Greqi nga Afrika e Veriut me anije. Të gjithë emigrantët që hyjnë në vend do të arrestohen dhe ndalohen.
– Krijimi i një strukture të mbyllur të përhershme në Kretë, duke ndaluar ata që hyjnë ilegalisht. Mund të krijohet edhe një strukturë e dytë.
– Diskutimet me Libinë, me qeverinë legjitime të Libisë Perëndimore dhe me atë të Libisë Lindore vazhdojnë. Forcat e Armatosura janë të gatshme të bashkëpunojnë me autoritetet libiane për të parandaluar largimin e anijeve nga bregu libian.
Ky veprim erdhi pasi mbi 2 mijë migrantë kanë zbarkuar në Kretë, duke shkaktuar zemërim midis autoriteteve lokale dhe operatorëve turistikë.
Një grup tjetër prej rreth 520 personash u shpëtuan pranë Kretës herët të mërkurën dhe do të ridrejtohen në portin e Lavrio-s në Athinë.