Stuhitë dhe shirat e rrëmbyeshëm goditën rëndë Teksasin jug-qendror të premten, duke shkaktuar përmbytje katastrofike përgjatë lumit Guadalupe dhe duke lënë pas një bilanc tragjik jetësh të humbura e të zhdukurish.
Autoritetet lokale konfirmuan se disa persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, përfshirë një numër të panjohur fëmijësh të bllokuar në kampingje të përfshira nga uji.
“Të gjithë po bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për t’i nxjerrë këta fëmijë jashtë,” deklaroi në një konferencë për shtyp gjykatësi i Qarkut Kerr, Rob Kelly, ndërsa mediat lokale raportuan se të paktën gjashtë persona kanë vdekur. Zyra e Sherifit të Qarkut Kerr foli për “përmbytje katastrofike” dhe konfirmoi se operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vijim.
Përmbytjet, që ndodhën në mënyrë të befasishme dhe brenda një periudhe më pak se dy orësh, kanë goditur më rëndë lagje të shpërndara banimi, parqe për automjete rekreative dhe kampingje.
“Kjo ndodhi shumë shpejt, gjatë një periudhe shumë të shkurtër që nuk mund të parashikohej, madje as me radar,” u shpreh Dalton Rice, menaxheri i qytetit për Kerville, duke theksuar mungesën e paralajmërimit për evakuim.
Shërbimi Kombëtar i Motit shpalli një emergjencë për përmbytje të menjëhershme në Qarkun Kerr, pas reshjeve ekstreme që arritën deri në 30 centimetra shi.
Ndërkohë, zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick, deklaroi se po punohet ngushtë me ekipet e emergjencës dhe paralajmëroi për rrezik të vazhdueshëm për përmbytje të reja në orët dhe ditët në vijim, veçanërisht në zonat nga San Antonio në Waco.
Roja Bregdetare e SHBA-së dhe Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) janë aktivizuar për të ndihmuar në përballimin e kësaj katastrofe natyrore, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë ndihmë dhe bashkëpunim për të shpëtuar sa më shumë jetë.
