Hulumtimet tregojnë se dëgjimi i muzikës gjatë drejtimit ndihmon në reduktimin e stresit te shoferët. Megjithatë, një sistem i mirë audio nuk është i mjaftueshëm për të arritur këtë efekt pa një izolim të mirë të zhurmës në kabinë.
Rritja e trafikut dhe përhapja e makinave me performancë të lartë i bëjnë shoferët gjithnjë e më të ekspozuar ndaj stresit. Për shoferët me më pak përvojë, jo vetëm kushtet e rrugës, por edhe vetë drejtimi i automjetit mund të jenë burim stresi.
Një studim i përbashkët i Universitetit Shtetëror të São Paulo në Brazil, Universitetit Oxford Brookes në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universitetit të Parmës në Itali analizoi ndikimin e muzikës gjatë drejtimit në orët e pikut. Rezultatet treguan se muzika ndihmon në uljen e luhatjeve të rrahjeve të zemrës dhe redukton efektet negative të stresit në shëndet.
Megjithatë, tingujt e padëshiruar dhe zhurmat e bezdisshme kanë efekt të kundërt, pavarësisht nga përvoja e shoferit. Sipas një studimi të Institutit Kombëtar të SHBA-së për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, zhurma rrit stresin, i cili mund të ndikojë negativisht në të menduarit dhe vendimmarrjen. Për këtë arsye, prodhuesit e makinave po investojnë në përmirësimin e izolimit të zhurmës së kabinës dhe në zhvillimin e sistemeve audio me cilësi të lartë.
Burimi kryesor i zhurmës në makinë është motori, i ndjekur nga zhurma e rrotave dhe dridhjet që transmetohen nga pezullimi, të cilat intensifikohen në rrugë me kushte të këqija. Një faktor tjetër është zhurma aerodinamike, e cila bëhet më e ndjeshme me rritjen e shpejtësisë. Po ashtu, tingujt brenda kabinës, si funksionimi i kondicionerit, kërcitjet e materialeve apo cilësia e dobët e radios, ndikojnë në përvojën e drejtimit.
Një anketë nga Seat tregon se mbi 53% e shoferëve ndihen më mirë gjatë ditës kur dëgjojnë muzikë në makinë, dhe 42% e përdorin muzikën për të ulur stresin. Lloji i muzikës luan një rol të rëndësishëm: varësisht nga tempi, ritmi dhe intensiteti, ajo mund të ketë efekt qetësues ose energjizues.
Shoferët preferojnë lista këngësh me hite të njohura, që shërbejnë si sfond për fokusin në drejtim. Cilësia e zërit është po ashtu jetike. Prodhuesit e sistemeve audio të makinave, si Harman Kardon, Bose dhe Bang & Olufsen, vazhdojnë të inovojnë, duke synuar të kompensojnë mungesat e izolimit akustik në kabinë.
Sasia e zhurmës që arrin te dëgjuesi varet edhe nga dizajni i makinës dhe materialet e përdorura. Për shkak të kërkesës për uljen e peshës së automjeteve, izolimi i zërit ka pësuar reduktime të mëdha vitet e fundit, por megjithatë ky sektor po evoluon dhe është një komponent i rëndësishëm i cilësisë së përgjithshme të makinës. Syri.net-iefimerida
