Janë tokat e tyre, por nuk mund t’i shesin apo t’i zhvillojnë, pasi nuk posedojnë certifikata pronësie. Banorët e fshatit Dërsnik, në Korçë, shprehen se nuk janë të pajisur me dokumentacionin që vërteton ligjërisht pronësinë e tyre. Si pasojë, atyre u janë mohuar edhe subvencionet shtetërore, pasi toka nuk njihet nga autoritetet.
Një tjetër problem i rëndësishëm që përballen është mungesa e shërbimit shëndetësor. Fshati nuk ka një mjek të përhershëm, çka i detyron banorët të udhëtojnë drejt Voskopit apo qytetit të Korçës edhe për ndihmën më të thjeshtë mjekësore.
Banorët i bëjnë apel institucioneve për zgjidhje të qëndrueshme të problemeve të tyre, duke theksuar se edhe kur ankohen, nuk marrin asnjë përgjigje apo mbështetje konkrete nga shteti.
